Mashtrim me kompani fiktive! 4 persona në gjyq, i shkaktuan shtetit 45.5 milionë lekë dëme

Nga A2 CNN
19 Prill 2025, 12:00 | Kronikë

Mashtrim me kompani fiktive! 4 persona në gjyq, i shkaktuan shtetit 45.5

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër persona të përfshirë në një skemë mashtrimi financiar që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 45.5 milionë lekësh.

Sipas hetimeve, shtetasit S.M., Z.R., E.S. dhe P.K. kishin krijuar tre kompani me qëllim kryerjen e veprimeve fiktive të importit në favor të tregtarëve të ndryshëm. Këto kompani, të ashtuquajtura “NIPT-e shëtitës”, ishin regjistruar në emër të tre prej të akuzuarve, por kontrolloheshin në mënyrë reale nga shtetasi S.M., i cili përfitonte drejtpërdrejt nga veprimtaria kriminale.

Skema përfshinte shmangie të detyrimeve tatimore dhe furnizime me mallra pa faturë, duke rezultuar në një qarkullim prej 303 milionë lekësh dhe ulje të tatim-fitimit me mbi 45 milionë lekë.

Në fillim, tre shtetasit e tjerë kanë bashkëpunuar në mirëbesim me S.M., por më vonë kanë pranuar pagesa mujore dhe hapjen e kompanive në emrat e tyre, duke u përfshirë plotësisht në aktivitetin e paligjshëm.

Prokuroria i akuzon katër personat për veprat penale “Mashtrim”, “Fshehje e të ardhurave në bashkëpunim” dhe “Moskallëzim krimi”, ndërsa shpreh angazhimin e saj për të vijuar luftën ndaj evazionit fiskal dhe veprimtarive që dëmtojnë integritetin ekonomik të vendit.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos