
Policia e Tiranës ka goditur një rast mashtrimi me kriptomonedha, duke finalizuar operacionin e koduar “Scam Platform”. Në pranga kanë rënë dy shtetas kinezë, të dy banues në Tiranë, pasi dyshohet se mashtruan një 30-vjeçar shqiptar duke i marrë kriptomonedhat nga llogaria e tij kriptofinanciare.
“Si rezultat i punës hetimore dhe operative të kryer me objektiv parandalimin dhe goditjen e krimeve kibernetike dhe rasteve të mashtrimit të qytetarëve në këtë fushë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 finalizuan operacionin “Scam platform”, gjatë të cilit: -u arrestuan shtetasit kinezë, X. Zh., 20 vjeç dhe X. Zh., 58 vjeç, të dy banues në Tiranë; u proceduan penalisht shtetasit A. S., 30 vjeç, J. Sh., 30 vjeç dhe A. Zh., 25 vjeç, të tre banues në Tiranë”, njofton Policia.
Sipas hetimeve, dy të arrestuarit i kishin dhënë paraprakisht viktimës 10 000 euro, në këmbim të kriptomonedhave që ai kishte në llogarinë e tij. Pasi kriptomonedhat u transferuan në llogarinë e një bashkëpunëtori të tyre në Hong Kong, ata e mashtruan duke i thënë se transaksioni nuk ishte kryer dhe ia rimorën shumën prej 10 000 eurosh.
Policia njofton se bashkëpunëtori i dy shtetasve kinezë në Hong Kong është identifikuar, por për arsye hetimi, të dhënat e tij nuk bëhen publike.
Ndërkohë u proceduan penalisht: A. S., personi i mashtruar, për përfshirje të kundërligjshme në aktivitet financiar me kriptomonedha, si dhe J. Sh. dhe A. Zh., të cilët dyshohet se kanë kontribuar në administrimin e paligjshëm të këmbimit të kriptomonedhave.
Gjatë operacionit u sekuestruan 10 000 euro, si dhe 5 aparate celularë të përdorur për komunikim dhe koordinim. Policia po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)
