Masat e GJKKO për Ballukun, reagojnë deputetët e PD: Rast unikal në botë!

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2025, 16:22 | Kronikë

Masat e GJKKO për Ballukun, reagojnë deputetët e PD: Rast unikal

Partia Demokratike ka reaguar pasi Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zëvendës-kryeministren Belinda Balluku dhe i ndaloi asaj daljen jashtë vendit.

Përmes një deklarate të lexuar nga deputeti Klevis Balliu, PD thekson se Rama po përdor drejtësinë për të hequr qafe Belinda Ballukun, shkruan A2 CNN.

Po ashtu në reagim thuhet se dyshja Rama-Balluku treguan se nuk njohin institucionin e dorëheqjes.

“Duke përdorur drejtësinë për të hequr qafe Belinda Ballukun, Edi Rama provoi edhe njëherë se, njeriu burracak nuk bëhet trim, as kur është në majën e piramidës së pushtetit.

Ai e trajtoi zëvendësen e tij, prapa shpinës së të cilës ‘kishte ngrënë dardha’ si dëm kolateral, si një e keqe prej së cilës duhet të shpëtonte sa me parë, nga frika se ajo po e merrte me vete dhe duhej larguar, jo nga ai, por kushdo tjetër, me një qëllim të vetëm, shpëtimin e karriges, pushtetit dhe kokës të vet. Për turpin e tyre, dyshja Rama-Balluku treguan se nuk njohin institucionin e dorëheqjes.

Me këtë akt të paprecedent të largimit nga detyra, pra të flakjes si leckë me vendim gjykate të numrit 2 të qeverisë, sikur të ishte një magaziniere, dhe jo të shkarkimit të saj me propozim të Kryeministrit dhe dekret të Presidentit, ashtu siç është emëruar, Edi Rama faktoi se, në panik dhe tmerr është i aftë të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar ligjit dhe drejtësisë.

Kërcënimit ‘po rashë unë, do të të marr me vete’ të Belinda Ballukut, Edi Rama zgjodhi t’i përgjigjej, jo duke e shkarkuar apo kërkuar dorëheqjen, siç ia kërkonte detyra, parimi, përgjegjësia politike, por me pritë pas shpine.

Sot të dy janë të poshtëruar, si Rama dhe Balluku, sepse ata janë në qendër të një labirinti krimi e korrupsioni, një rrethi vicioz ku kokat priten- por sistemi i së keqes qëndron.

Partia Demokratike e ka të qartë dhe thekson atë që ka thënë përherë: është Edi Rama koka e sistemit narkos dhe pa rënien e tij nuk ndryshon asgjë.

Nuk ka alternativë tjetër veç dorëheqjes së Edi Ramës. Kjo është kërkesa jonë dhe kushti i kohës. Kjo e bën misionin e Foltores qytetaro-parlamentare edhe më jetik, kjo e bën lëvizjen opozitare një kërkesë të kohës, kjo e bën rrëzimin e narko-qeverisë një domosdoshmëri kombëtare”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Po ashtu pas vendimit të GJKKO, kanë reaguar në rrjetet sociale edhe deputetët Belind Këlliçi, Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu.

Këlliçi ka shkruar në rrjetet sociale një ‘urim’ që Balluku të ketë këmbën e mbarë dhe të tërheqë pas vetes edhe kryeministrin Edi Rama.

Nga ana tjetër, Tabaku në postimin në faqen e saj në Facebook, shkruan se rasti i sotëm ku Gjykata pezulloi nga detyra një zëvendës-kryeministre dhe njëkohësisht ministre, është një rast unikal në botë.

Po ashtu sipas Tabakut, kjo nuk është vetëm një çështje individuale, por është fjala për një model qeverisjeje që ka prodhuar një seri skandalesh, shkruan A2 CNN.

“Ky është rasti unikal në botë ku gjykata pezullon nga detyra një Zëvendëskryeministre dhe Ministre të Infrastrukturës, dhe ky është një zhvillim i pritshëm duke parë akuzat dhe mbi të gjitha duke parë mënyrën si ka operuar qeveria socialiste në këto 12 vite.

Ky është vendimi i dytë për një zëvendëskryeministër, pasi një tjetër është në kërkim ndërkombëtar prej mbi 2 vitesh, e kryetari i bashkisë në burg. Kjo është një dëshmi e një krize të madhe morale dhe politike që ka prekur qeverisjen prej vitesh, ku qeveria njolloset me skandalet dhe kryeministri shmang përgjegjësinë e tij morale dhe politike.

Për asnjë moment ne nuk kemi parë asnjë reflektim dhe as ndjeshmëri ndaj faktit se një nga portofolët më të rëndësishëm të shtetit është vënë nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera; përkundrazi u mor në mbrojtje, jo për një, por për dy tendera tashmë, ndërkohë që dosjet janë kapicë edhe për afera të tjera, duke nisur me “tigrat” e duke vijuar me rrugën e Ersekës.

Kjo nuk është vetëm një çështje individuale. Është fjala për një model qeverisjeje që ka prodhuar një seri skandalesh, një pas një, për vite me radhë, nga bashkëpunëtorët më të afërt deri te zyrtarët më të lartë të kabinetit.

Kur një ministre e linjës më të rëndësishme të qeverisë dhe një zëvendëskryeministre merret e pandehur dhe pezullohet nga detyra, përgjegjësia nuk është personale: përgjegjësia është politike. Dhe kjo përgjegjësi fillon në zyrën e Kryeministrit.

Tashmë një shtet i kapur është fytyra e një Shqipërie që nuk mund të fshihet pas kapitujve të hapur për të shmangur përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të kryeministrit. Shqiptarët meritojnë një qeverisje që mbron interesin publik, jo tenderat me paracaktim; që jep shembull me integritet, jo me arrogancë politike; që është e përgjegjshme, jo e pashqetësuar. Këtë model duhet ta rrëzojmë, këtë duhet ta thyejmë!”, ka shkruar Tabaku.

Ndërsa deputeti Klevis Balliu në faqen e tij në Facebook ka shkruar se masat e SPAK për Ballukun vulosën të vërtetën, që sipas tij, kryeministri Rama është arkitekt i vjedhjeve.

Teksa i kërkon kryeministrit Edi Rama dorëheqjen, Balliu thotë se e paralajmëroi më herët Belindën që të mos bënte gabimin e gjyshit të saj, Beqir Balluku, i cili u pushkatua nga regjimi komunist.

Postimi i Balliut:

Masat për Belën vetëm sa vulosën të vërtetën: Edi Rama është arkitekti i vjedhjeve, Belinda thjesht zbatonte urdhrat e tij.

Të thash, Bela: mos bëj gabimin e gjyshit tënd. Nuk më dëgjove.

Shokët të shitën. Tani do të shohësh edhe “shoqet e reja” si do të të vërsulen.

Fol sa nuk është vonë.

Fol kush të urdhëroi.

Fol kush të dërgoi tek turqit.

Fol, sepse heshtja nuk të mbron dot më.

Kjo qeveri është turp kombëtar.

Edi Rama duhet të japë dorëheqjen sot çdo aferë, çdo vjedhje, çdo skemë korruptive mban firmën e tij.

Duhet ndërmarrë çdo masë demokratike për ta larguar këtë qeveri sa më shpejt.

Këtu nuk flitet për kumbulla e mandarina, por për paratë e shqiptarëve, për të ardhmen e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos