SPAK refuzon kërkesën e misionit monitorues të Kongresit të Autoriteteve Lokale të KE për t’u takuar me Veliajn

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2025, 15:45 | Kronikë

SPAK refuzon kërkesën e misionit monitorues të Kongresit të

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka refuzuar kërkesën e misionit monitorues të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës për t’u takuar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Misioni i KE vizitoi Shqipërinë në datat 17-19 nëntor dhe kishte kërkuar një takim me Veliajn në ambientet e IEVP Durrës, ku ai mbahet në paraburgim prej shkurtit 2025, për t’u njohur me situatën e tij, shkruan A2 CNN.

Nga ana tjetër, gjatë qëndrimit dyditor në Tiranë, misioni monitorues zhvilloi disa takime me institucionet shqiptare dhe u prit edhe nga Avokati i Popullit dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Gjatë takimit me Gjykatën Kushtetuese, sipas njoftimit për media, u diskutua gjerësisht në lidhje me kuadrin ligjor shqiptar për sa i përket qeverisjes dhe autonomisë vendore, si dhe rasteve kur është vënë në lëvizje Gjykata Kushtetuese, të cilat kanë pasur kryesisht si objekt shqyrtimi zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis organeve të qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve, si dhe ankimet individuale në rastet e shkarkimit nga detyra të kryetarëve të bashkive e komunave, siç ishte edhe rasti i shkarkimit të kryebashkiakut Veliaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos