Mesazhi i Klodian Brahos, 50 ton, SPAK godet super-trafikantët e kokainës

Nga Armand Bajrami
16 Qershor 2026, 19:19 | Kronikë

SPAK ka siguruar urdhër-arreste për 10 anëtarë të një rrjeti kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim të parave përmes investimit në pasuri të patundshme në Shqipëri. Ata dyshohet të jenë përgjegjës për trafikimin e gati 50 tonëve kokainë nga Amerika Latine në Europë në periudhën 2019-2021 dhe krijimin e një pasurie me vlerë mbi 150 milionë euro.

Nga dhjetë masa “arrest në burg”, policia ka gjetur dhe arrestuar vetëm të dyshuarin Florjan Musaj. Në Shqipëri po kërkohen edhe dy të dyshuar, ndërsa shtatë të tjerët ndodhen jashtë vendit dhe SPAK po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese të vendeve respektive.

Sipas hetimit të drejtuar nga prokurorët Klodian Braho dhe Doloreza Musabelli, rolin kryesor në këtë organizëm e mban Shpëtim Aliu, i njohur edhe si “Salvadore”, që dyshohet se ka qenë furnitor në tregun ndërkombëtar të kokainës. Mes të shpallurve në kërkim janë edhe Dritan Gjika, Eldi Dizdari, i njohur edhe si Denis Matoshi, si edhe Armando Pacani.

SPAK ka dokumentuar 5 episode të trafikut të madh të kokainës, ku janë trafikuar ose tentuar për trafik 8.9 ton kokainë nga Amerika Latine në Europë, ku 4.1 tonë janë trafikuar në një episod të vetëm.

Sipas SPAK, paratë e fituara nga trafiku janë transferuar në Shqipëri në cash e më pas investuar në pasuri të patundshme e shoqëri tregtare. Në kuadër të hetimit janë sekuestruar 266 pasuri të paluajtshme në gjithë vendin, vila, hotele e apartamente, si edhe 209 llogari bankare. Në një reagim publik, kreu i SPAK, Klodian Braho evidentoi rëndësinë e goditjes së pasurive kriminale.

“Pasuritë me origjinë kriminale dëmtojnë ekonominë e ligjshme, konkurrencën e lirë, veprimtarinë ekonomike të bizneseve që punojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndershme. Ato rrisin forcën ekonomike të krimit të organizuar, përdoren për të financuar veprimtarinë kriminale dhe nuk sjellin asnjë të mirë publike.

Për këtë arsye, pasuritë me origjinë kriminale duhet të sekuestrohen, të konfiskohen, të kalojnë në favor të shtetit dhe të përdoren për qëllime të ligjshme”.

Në mesazhin e tij, Braho garantoi se SPAK synon vetëm pasuritë me origjinë kriminale dhe se në asnjë rast nuk do të cenohet e drejta e pronësisë dhe të drejtat e personave fizikë a juridikë, që investojnë para të fituara në mënyrë të ligjshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos