Mësohet identiteti i të plagosurit në atentatin ndaj Gilmando Danit

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2025, 15:25 | Kronikë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në rrethrrotullimin e Rinasit ku u vra me armë zjarri Gilmando Dani, ndërsa gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta ka mësuar se ka mbetur i plagosur rëndë shtetasi Muçi Shaljani, alias Sheqeri.

Ndërkohë, policia ka publikuar informacione paraprake në lidhje me atentatin e ndodhur rreth një orë më parë pranë aeroportit të Rinasit.

Policia konfirmon se në makinë me Danin ka qenë edhe një 40-vjeçar, i cili ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital, shkruan A2 CNN.

“Rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëviznin shtetasit M. Sh., rreth 40 vjeç dhe G. D., rreth 47 vjeç. Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. D. dhe është plagosur shtetasi M. Sh., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetësore”, informon policia.

Ndërkohë, nënvizohet se forca të shumta të policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë punën për kapjen e autorëve të mundshëm të ngjarjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos