Molotov e gurë drejt kryeministrisë, pushohet hetimi ndaj 6 minorenëve

Nga Armand Bajrami
2 Qershor 2026, 12:12 | Kronikë

Molotov e gurë drejt kryeministrisë, pushohet hetimi ndaj 6

Prokuroria e Tiranës pushon hetimin e nisur ndaj 6 protestuesve të arrestuar pas protestës opozitare të 10 shkurtit. Ata dhe një i shtatë u arrestuan pas protestës, pas dyshimeve se, në role të ndryshme, kishin hedhur sende të forta dhe molotov drejt kryeministrisë dhe ndaj punonjësve të policisë.

Pas më shumë se 2 muajve hetim Prokuroria e Tiranës, vendosi të dërgojë për gjykim vetëm një prej tyre, për veprat penale të "goditjes së punonjësit të policisë" dhe "prishjet të rendit e qetësisë publike". Për 6 të tjerë prokuroria pushoi hetimin, bazuar në nenin përkatës Kodit të Drejtësisë për të Miturit për "paralajmërimin me gojë".

Gjatë hetimit, të miturit i janë nënshtruar një vlerësimi psikoligjik, nga i cili është konkluduar se një dënim i mundshëm mund të ketë ndikim negativ në gjendjen emocionale, në sjelljen dhe mënyrën e të menduarit. Në këto kushte, prokuroria e Tiranës ka aplikuar masën alternative të shmangies të ndjekjes penale duke i paralajmëruar me gojë.

Ky paralajmërim, i bërë në prani të avokatit dhe psikologut, konsiston në  bërjen me dije të të miturit për rëndësinë e veprës penale, dëmin e shkaktuar dhe pasojat nëse ajo përsëritet.

Për shkak të përjashtimit nga ndjekja penale prokuroria ka kërkuar edhe shuarjen e masës "detyrim për paraqitje" ndaj tyre, kërkesë e pranuar nga gjykata. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos