
Policia e Elbasanit ka finalizuar pas disa javësh hetime operacionin e koduar “Rented”, duke goditur një rast të ushtrimit të prostitucionit në qytet. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Gjatë aksionit u arrestuan në flagrancë dy shtetase nga Kazakistani, Z. M., 37 vjeçe, dhe N. S., 38 vjeçe, të dyja të akuzuara për ushtrim prostitucioni në dy apartamente që i kishin marrë me qira në Elbasan, shkruan A2 CNN.
Gjithashtu, u procedua penalisht pronarja e apartamenteve, shtetasja M. C., 39 vjeçe, e cila akuzohet për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.
Gjatë kontrolleve në apartamentet e përdorura për këtë veprimtari u sekuestruan shuma parash në valuta të ndryshme, dokumente identifikimi dhe disa celularë. (A2 Televizion)
