
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar për përfundimin me sukses të një operacioni transit ndërkombëtar për ekstradimin e dy shtetasve të huaj, në bashkëpunim të ngushtë me Interpolin dhe strukturat e Policisë së Shtetit.
Dy personat, Stevan Kraljevic dhe Dordije Dukic, u morën në dorëzim në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit dhe u transportuan në mënyrë të sigurt drejt Pikës Kufitare të Hanit të Hotit, ku iu dorëzuan autoriteteve të Republikës së Malit të Zi, shkruan A2 CNN.
Operacioni u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Në njoftimin zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson angazhimin e saj të vazhdueshëm për zbatimin me përpikëri të procedurave ligjore, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë dhe sigurisë publike. (A2 Televizion)
