
Policia e Shtetit ka bërë publike bilancin e 24 orëve të fundit, ku janë evidentuar 5 aksidente. Sipas policisë dy automjete janë përplasur te Gjiri i Lalëzit, ku për pasojë ka humbur jetën një 57-vjeçar, i cili ishte pasagjer në njërin prej automjeteve. Ndërsa dy drejtuesit e mjeteve u arrestuan pasi rezultuan se drejtonin automjetet në gjendje të dehur.
Ndërsa në të gjithë aksidentet 4 persona të tjerë mbetën të lënduar dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në Laç, një sasi lënde plasëse shpërtheu në qepenin e një dyqani në një kompleks shërbimesh, duke shkaktuar dëme materiale. Policia po heton për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
“Rreth orës 03:00, në qytetin e Laçit, në qepenin e derës së një dyqani që ndodhet në një kompleks shërbimesh, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton Policia.
Gjatë 24 orëve janë finalizuar edhe dy operacione policore kundër lojërave të fatit dhe kultivimit të bimëve narkotike.
Sipas Policisë, në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste me 9 autorë të përfshirë, ku 1 person është arrestuar, 7 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim. Gjithashtu janë asgjësuar një numër i konsiderueshëm fidanësh narkotikë dhe është sekuestruar një sasi kanabisi.
Në raportin ditor bëhet me dije se janë evidentuar edhe 5 raste të krimeve kundër personit, me 11 autorë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe një rast vetëvrasjeje në Durrës, ku një 19-vjeçare dyshohet se është vetëhedhur nga kati i pestë i një pallati.
Policia ka regjistruar gjithashtu 6 raste të dhunës në familje, me 8 autorë të identifikuar, nga të cilët 4 janë arrestuar dhe 4 të tjerë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 4 raste, ndërsa është goditur edhe një rast i organizimit të lotarive të palejuara, ku u arrestua një person dhe u sekuestruan tavolinë pokeri dhe pajisje të tjera loje. (A2 Televizion)