
Reagimi i nënës së Andon Janaqit, autorit të dyshuar të vrasjes së partneres së tij dhe më pas vetëvrasjes në Francë. Ajo ka kërkuar ndihmën e shtetit shqiptar për të sjellë trupin e të birit në atdhe, ndërsa ka treguar se nuk kishte asnjë dijeni për konfliktet që mund t’i kishin çuar drejt kësaj tragjedie.
“Më ndihmoftë shteti të më sjellë trupin e djalit këtu. Unë nuk di gjë se çfarë ka bërë djali andej. Ishin mirë, ishin bukur. Fërkime ka çdo shtëpi”, rrëfen nëna.
Sipas saj, telefonata ka ardhur rreth orës 20:45 nga nusja e djalit tjetër që jeton në Greqi: “Flora, mblidh mendjen, se yt bir kështu ka bërë. Vrau veten e tij dhe nusen”, i është thënë asaj mes lotësh, shkruan A2 CNN.
E tronditur dhe e shkatërruar, ajo ka pohuar se nuk e dinte që situata mes çiftit mund të përfundonte në një akt kaq ekstrem: “Ata kishin fërkime në shtëpinë e tyre, por nuk e di t’i them të sakta se trurin nuk e kam të qetë. Evlat e kishte ajo, evlat e kisha dhe unë. Nuk më vjen mirë.”
Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten në qytetin Brest të Francës, ku çifti shqiptar u gjet i pajetë në apartamentin e tyre, ndërsa autoritetet franceze po hetojnë pistën e vrasjes së ndjekur nga vetëvrasja. (A2 Televizion)

