
Policia e Fierit ka finalizuar dy operacione për armëmbajtje pa leje dhe verifikimin e automjeteve luksoze.
Në operacionin “No Guns 5”, u arrestua Rexhep Mehmeti, 66 vjeç, banues në Fier. Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan një armë zjarri automatike dhe një krehër me 29 fishekë.
Ndërkohë, gjatë verifikimit të një automjeti tip “Benz”, rezultoi se mjeti, i prodhuar vitet e fundit, ishte shpallur në kërkim nga Interpol Manchester. Për këtë rast u procedua në gjendje të lirë 26-vjeçari E. D., banues në Mallakastër, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Njoftimi i DVP Fier
Finalizohen 2 operacione në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe në kuadër të verifikimit të automjeteve luksoze.
Sekuestrohen një armë zjarri automatike, municion luftarak dhe një automjet luksoz.
Vihet në pranga 66-vjeçari që posedonte armën e zjarrit në banesë.
Procedohet penalisht 26-vjeçari që kishte në përdorim automjetin.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrolleve të intensifikuara për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që dyshohej se posedonte armë zjarri në banesë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “No Guns 5”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi R. M., 66 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip automatik dhe një krehër me 29 fishekë.
Ndërkohë, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Fier, në kuadër të operacionit për verifikimin e burimit të të ardhurave për blerjen e automjeteve luksoze, ndaloi për verifikim një automjet tip “Benz”.
Gjatë verifikimeve, automjeti, prodhim i viteve të fundit, rezultoi i shpallur në kërkim nga Interpol Manchester.
Për këtë rast u procedua në gjendje të lirë shtetasi E. D., 26 vjeç, banues në Mallakastër, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarive kriminale dhe evidentimin e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të mjeteve motorike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)