
Kryeministri Edi Rama do të drejtohet sot me një mesazh qytetarëve shqiptarë sapo të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza”, pas përfundimit të vizitës 6-ditore në SHBA, ku mori pjesë Asamblenë e OKB-së.
Sipas njoftimit të bërë një ditë më parë nga kryeministria, për shkak të orës së pakonfirmuar të nisjes nga JFK Airport për shkak të motit të keq, koha e saktë e adresimit do të bëhet e ditur paraditen e sotme.
“Sapo të kthehet nga vizita në Kombet e Bashkuara, kryeministri Edi Rama do t’u drejtohet me një mesazh shqiptarëve nga salla e shtypit të Aeroportit “Nënë Tereza”. Duke qenë se nisja sot nga aeroporti JFK i Nju Jorkut është ende e pakonfirmuar si rezultat i motit të keq, orën e saktë të adresimit do ta njoftojmë nesër paradite”, njoftoi kryeministria.
Mesazhi i kryeministrit vjen pas hetimeve të SPAK për drejtoreshën e shkarkuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila dyshohet se i ka dorëzuar informacione sekrete biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar për dosjen ‘AKSHI’.
Rama do të jetë i pranishëm edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar që do të mbahet të hënën në orën 08:30 në Pallatin e Brigadave.
Në mbledhje pritet të vlerësohet situata e krijuar për sigurinë kombëtare pas masës së arrestit ndaj Vlora Hysenit. (A2 Televizion)