
Autoritetet italiane, në një operacion të përbashkët me SPAK kanë ekzekutuar disa masa arresti duke goditur një grup të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e pastrimit të parave mes Italisë dhe Shqipërisë, shkruan A2 CNN. Kreu i këtij grupi dyshohet të jetë Igli Kamberi, i arrestuar në Hungari vitin 2025, si i përfshirë në vrasjen e një berberi 26-vjeçar në Barleta, Itali. Ndërsa në Shqipëri nga ky operacion është arrestuar Ergys Kastrati dhe tre persona të tjerë.
Mediat italiane raportojnë se të martën në mëngjes janë ekzekutuar 14 masa ndalimi në kuadër të një hetimi të koordinuar nga Drejtoria Antimafia e Qarkut (DDA) të Barit, i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Tiranë.
Mes të ndaluarve janë edhe persona të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e berberit italian Francesco Diviesti. Sipas autoriteteve italiane, njëri prej të dyshuarve është lënë në "arrest shtëpie", tre janë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa të tjerët kanë përfunduar në burg. Hetuesit po rindërtojnë lidhjet, rolet dhe përgjegjësitë brenda një organizate që dyshohet se operonte në mënyrë të qëndrueshme midis dy brigjeve të Adriatikut.
Në qendër të hetimit rezulton të jetë një grup i organizuar me bazë në kryeqytetin shqiptar, i cili merrej me transferimin e paligjshëm të parave cash nga Italia drejt Shqipërisë. Hetimet u zhvilluan përmes një Skuadre të Përbashkët Hetimore, e krijuar me koordinimin e Eurojust-it (organizmi evropian që mundëson bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar). Verifikimet e kryera kanë bërë të mundur lidhjen e këtij sistemi të dyshuar të pastrimit të parave me zhvillimet në hetimin për vrasjen e Diviesti-t, ngjarje e ndodhur në Pulia më 25 prill 2025.
Francesco Diviesti, 26 vjeç, berber nga Barletta, u zhduk mbrëmjen e 25 prillit 2025 pasi kishte dalë nga shtëpia rreth orës 20:30. Pamjet e fundit të dobishme për hetimin e kishin filmuar disa orë më vonë brenda berberhanes ku punonte së bashku me të atin: kamerat e dyqanit e kishin kapur teksa hynte në ambient dhe linte monopatinën e tij.
Që nga ai moment, gjurmët e të riut humbën plotësisht. Për ditë me radhë, familjarët dhe miqtë bënë thirrje publike, ndërsa forcat e rendit intensifikuan kërkimet në të gjithë territorin.
Më 29 prill, ngjarja u mbyll në mënyrën më dramatike: trupi i 26-vjeçarit u gjet nga agjentët e Policisë së Shtetit në një rrënojë në zonat rurale midis Canosa di Puglia dhe Minervino Murge, në zonën e quajtur "Femmina morta". Kufoma e tij ishte e gjysmë-karbonizuar. (A2 Televizion)