Demokratët në Komisionin e Ligjeve refuzuan të votonin aktin normativ për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Akti në fjalë i jep të drejtë diasporës që të votojë edhe me dokumente të skaduara, e drejtë e cila për demokratët, vendos në pabarazi shqiptarët që jetojnë brenda vendit, që nuk gëzojnë këtë mundësi.
“Sjellja e qeverisë e bën këtë akt antikushtetues sepse është diskriminues. Sigurisht ky siç është duhet të kalojë, se përndryshe mbetën pa votuar me 10 mijë shtetas, por duhet patjetër qeveria të miratojë aktin tjetër. Përndryshe do të jemi në nivelin e antikushtetueshmërisë”, tha Oerd Bylykbashi.
“Unë jam kundër këtyre zgjatjeve të dokumenteve, ky proces duhet të marrë fund. Ç’është ky vend që sa herë ka zgjedhje zgjatet afati i dokumenteve. Ç’janë kjo kategori njerëzish, jetojnë në pyje?!”, ia ktheu Damian Gjiknuri.
Opozita shkoi edhe më tej në argumentin duke nënvizuar se kjo qasje e maxhorancës mund të vërë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve, qëndrim i cili u hodh poshtë nga socialistët.
“Paplotëshmëria e tyre prodhon një diskriminim në nivelin antikushtetues dhe kjo mund të çojë edhe në pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Kështu siç janë diskriminuese dhe nuk mund ta kenë votën time si përfaqësues i opozitës”, u shpreh Oerd Bylykbashi.
“Vërtetë këta që kanë ikur jashtë i kuptoj shumë mirë, prandaj po e miratojë këtë akt që të kenë mundësi”, tha Damian Gjiknuri.
Akti normativ u miratua në komisionin e ligjeve me 15 votat e maxhorancës, ndërsa opozita u largua nga salla. (A2 Televizion)