Dëshmitë në gjyqin e Dumanit: "Dy deputetë na dhanë një çantë me lekë për të vrarë Talo Çelën"

Nga Armand Bajrami
25 Shkurt 2025, 15:04 | Kronikë

Seanca e radhës gjyqësore për dosjen “Plumbi i Artë” ka vijuar me debate dhe përplasje mes vetë të pandehurve dhe të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Pasi ka rrëfyer sesi organizoi dhe kreu vrasjet e Bujar Çelës, Emiliano Ramazanit dhe Rigers Runajt, por edhe kodet e tij në aplikacionet Sky EÇ dhe MATRIX, Dumani është përfshirë në debat me të arrestuarin Enver Diva.

Ky i fundit gjithashtu dha dëshmi në seancë, ku u shpreh se Dumani ka shkuar ta takojë në një rast, i shoqëruar nga dy biznesmenë dhe dy deputetë, të cilët i kanë kërkuar vrasjen e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Talo Çela.

Diva tha se për të kryer këtë vrasje i është ofruar një çantë me para atij dhe Dumanit, por i penduari i drejtësisë e mohoi që diçka e tillë të ketë ndodhur.

DEBATI NË SEANCË:

Enver Diva: Pse na ka bashkuar Alban Skonja?

Nuredin Dumani: Për të bërë vrasje.

Enver Diva: Cilët kanë qenë ata deputetë dhe biznesmenë që ke ardhur ke takuar me mua. Kanë ardhur 2 biznesmenë dhe 2 deputetë dhe kanë thënë "gjallë a vdek e duam të vrarë Talo Çelën dhe i kanë dhënë një çantë me lekë".

Nuredin Dumani: Nuk është e vërtetë.

Gjykatësi: Cilët janë?

Enver Diva: Unë nuk i them emrat. Le ti thotë ky. Alban Skonja e ka sjellë tek unë, se ky ka qenë në hasmëri. Më tha, a do ta sjell ta mbash në zonën time. Unë i thashë po. Unë po të vrisja njerëz me lekë vrisja vëllezërit Haxhia për 150 mijë euro, jo 30 mijë euro për Bujar Çelën.

Unë nuk kam asnjë lidhje me vrasjen e Bujar Çelës. Le të bëhet një akt ekspertimi, të shikohet kam qenë unë apo jo. Le ta tregojë ky me kë e ka bërë vrasjen.

Prokurori: Mund t’i tregoni emrat?

Enver Diva: Në një moment tjetër unë i tregoj edhe emrat e deputetëve dhe biznesmenëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos