Përveç 780 të liruarve nga qelitë e burgut dhe 800 të tjerëve që iu ul dënimi për shkak të ligjit për amnistinë, përfituesit më të numërt të saj, mbi 2000, ishin personat që vuanin lloje alternative të dënimit me burg. Bëhet fjalë për ata persona, burgosja e të cilëve është pezulluar nga gjykatat e më pas lënë në provë për afate të ndryshme kohore, dënime që mbikëqyren nga Shërbimi i Provës.
“Edhe në shërbimin e provës kemi rreth 2660 raste, 27 për qind e të gjitha praktikave që janë në Shërbimin e Provës në gjithë Republikën e Shqipërisë, pranë Shërbimin e Provës sot me një dinamike me pak numra që ndryshojmë, kemi rreth 9850 dosje. Pra 27 % e tyre përfitojnë nga amnistia”, tha Ermal Pacaj.
Sipas Pacajt, degët e Shërbimit të Provës në kryeqytet dhe rrethe kanë evidentuar dosjet e atyre që përfitojnë nga amnistia, por fjalën e fundit për përfituesit e thotë prokuroria.
“Mund të them që rreth 1700 dosje, ose 64-65 për qind e dosjeve kanë shkuar këto praktika në prokuroritë e rretheve, pasi është prokuroria ajo që jep “ok” final për përfitimin nga amnistia. Po punohet me një dinamikë të jashtëzakonshme dhe mendoj se deri në mesin e javës tjetër jemi shumë të qartë edhe për numrin final të përfituesve. Jemi edhe shumë të qartë edhe për gjithë punën dhe dinamikën e punës që besoj do të jetë e përfunduar”, tha Pacaj.
Por cilët janë ata që përbëjnë 73 përqind të personave në Shërbim Prove, që nuk kanë përfituar nga amnistia? “Janë konkretisht vepra penale, ose subjekte të dënuar nga gjykatat për vepra penale si kultivimi i narkotikëve, krime kundër jetës, cenimi i sigurisë, terrorizmi dhe subjekte që janë dënuar nga Gjykata e Posaçme, por janë të përjashtuar nga ligji 33/24 për amnistinë”.
Sipas Pacajt, zbatimi i ligjit për amnistinë do të ndikojë pozitivisht në punën e Shërbimit të Provës, për shkak uljes me 1/3 të volumit të praktikave që ndiqen nga ky institucion në gjithë vendin. (A2 Televizion)