
Gazetarja e A2CNN në Durrës Elitjona Doko ka marrë dëshmi të banorëve të Spitallës, të cilat u shprehën të tronditur për aksidentin tragjik të ndodhur sot në zonë, ku Nikoll Radaçi përplasi me makinë tre fëmijë, dy prej të cilëve humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.
Sipas banorëve nuk ka qenë hera e parë që 57-vjeçari që drejtonte mjetin ecte me shpejtësi mbi normat. Shoferi, i cilu u ndërpreu jetën në moshën më të bukur dy 10-vjeçarëve, ka qenë person problematik edhe në të shkuarën, çka konfirmohet edhe nga dëshmitë e banorëve të zonës për A2CNN.
“Dëgjova zhurmë, erdhëm këtu dhe pamë katastrofë, fëmijët nën makinë. E njihja edhe drejtuesin e mjetit. Konsumonte alkool. Këtu ecin të gjithë me shpejtësi tej normales, duhet të vërë dorë shteti, po s’vuri dorë shteti do të vriten shumë të pafajshëm”, shprehet një banor.
Ndër të tjera A2CNN mëson se një nga fëmijët që humbi jetën, jetonte me gjyshërit, pasi fëmijët i kishte në emigrim.
“Kanë rënë viktimë dy fëmijë të vegjël. Kemi dëgjuar ambulancë dhe zjarrfikëse. Prandaj erdhëm për të parë ku ishte ngjarja. Na ka ardhur shumë keq, tragjedi e madhe”, thotë një banore.
“Nuk ka shtet, të marrësh tre shpirtra njeriu në lule të rinisë, është mëkati më i madh. Shoferi ishte tipik, pinte dhe i pëlqente vetja. Shumicën e rasteve kështu ecte”, shprehet një tjetër banor. (A2 Televizion)