Policia Rrugore pritet të shtojë kontrollet ndaj drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë nën efektin e alkoolit gjatë tre viteve të ardhshme, duke kërkuar 279 mijë gojëza për alkool-testuesit.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur procedurën e tenderit për furnizimin me aksesorë për aparatet alkool-testues të Policisë Rrugore për vitet 2026, 2027 dhe 2028, shkruan A2.
Kjo lëvizje tregon se lufta ndaj drejtimit të mjetit në gjendje të dehur mbetet një nga prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit.
Fondi limit i tenderit është 26.9 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 280 mijë euro. Furnizimi do të kryhet për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Në total kërkohen 279 mijë e 39 gojëza plastike njëpërdorimshe për aparatet alkool-testues “Drager 7510”, të cilat përdoren gjatë kontrolleve rrugore për matjen e nivelit të alkoolit tek drejtuesit e automjeteve.
Sipas planit të shpërndarjes, gjatë vitit 2026 do të furnizohen mbi 69 mijë copë, në vitin 2027 rreth 100 mijë, ndërsa në vitin 2028 mbi 110 mijë gojëza.
Autoritetet synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve të shkaktuara nga drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit. (A2 Televizion)