Premtuan transferimin e një të dënuari nga Turqia në Shqipëri, GJKKO dënon ish-oficerin e Gardës Zef Mali dhe Jemine Çokun

Nga A2 CNN
12 Maj 2026, 16:22 | Kronikë

Premtuan transferimin e një të dënuari nga Turqia në

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtorë Zef Mali dhe Jemine Çoku për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në lidhje me një skemë ku premtohej transferimi nga Turqia në Shqipëri i një të dënuari shqiptar.

Sipas hetimeve të SPAK, Zef Mali, ish-oficer i Gardës së Republikës, dhe Kreshnik Domi i kanë marrë 20 mijë euro Jemine Çokut, duke i premtuar se kishin ndikim tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për të përshpejtuar procedurat e transferimit në Shqipëri të vëllait të saj, Kujtim Çeliku, i cili po vuante dënimin me burg në Turqi.

Hetimet kanë zbuluar se kontaktet mes palëve janë zhvilluar në periudhën janar–tetor 2025, ndërsa në kohën kur pretendohej ndërhyrja, procedurat për transferimin e të dënuarit kishin nisur tashmë nga Ministria e Drejtësisë, sipas rrugëve ligjore.

Ishte vetë Jemine Çoku ajo që kallëzoi rastin pranë organeve të drejtësisë, por më pas edhe ajo u përfshi në proces penal dhe u mor e pandehur nga SPAK.

Në vendimin nr. 39, datë 12 maj 2026, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Alma Kodraliu dhe Etleva Deda vendosi deklarimin fajtor të Zef Malit për ushtrim të ndikimit të paligjshëm në bashkëpunim.

Ai u dënua fillimisht me 2 vite e 6 muaj burgim, por me përfitimin e gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 1 vit e 8 muaj burgim. Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës së tij për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Ndërkohë, Jemine Çoku u dënua me 1 vit burgim, dënim që pas gjykimit të shkurtuar u reduktua në 8 muaj. Në aplikim të nenit 52/a të Kodit Penal, gjykata urdhëroi përjashtimin e saj nga vuajtja e dënimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos