Protesta e thirrur në orën 18:00 nga opozita ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit dhe ka marrë masat për çdo skenar të mundshëm. Burime për A2 CNN nga policia bëjnë me dije se mbi 1 mijë forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA.
Gjithashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.
Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, të cilët do të jenë të shumtë për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.
Burime për A2CNN bëjnë me dije se dje Policia e Tiranës ka zhvilluar mbledhje për protestën duke qenë e angazhuar maksimalisht. Në mbledhje kanë qenë të gjithë drejtuesit e policisë së Tiranës dhe shefat e rendit dhe sigurisë dhe shefat e komisariateve të Tiranës. Në mbledhje janë dhënë porositë lidhur me detyrat e policisë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës. Efektivëve u është kërkuar që të kenë kujdes dhe të mos provokohen nga protestuesit dhe të ruajnë qetësinë. Gjithashtu u është kërkuar që ndërhyrjet të jenë të minimizuara vetëm në raste nevoje dhe mos të krijohen përplasje të provokuara. (A2 Televizion)
