Protesta në Zvërnec, reagon Policia: Shoqërohen 17 protestues, dy roje private nën hetim për sulm ndaj protestuesve

Nga A2 CNN
30 Maj 2026, 18:43 | Kronikë

Protesta në Zvërnec, reagon Policia: Shoqërohen 17 protestues, dy

Policia e Vlorës ka proceduar penalisht 17 persona pas protestës së zhvilluar këtë të shtunë në zonën e Portonovës, pranë Zvërnecit, ku banorë të zonës kundërshtuan zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private si dhe pretenduar të drejta pronësie.

Sipas reagimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, tubimi ishte njoftuar më herët nga banorët dhe policia kishte marrë masa për garantimin e rendit.

Megjithatë, gjatë protestës, situata është tensionuar.

Reagimi i plotë i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë

Më datë 30.05.2026, është zhvilluar një tubim i organizuar nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”, të cilët kundërshtojnë zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private.

Policia e Vlorës, pas njoftimit të marrë nga banorët për zhvillimin e këtij tubimi, ka marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e pronës private.

Gjatë tubimit, situata është përshkallëzuar dhe një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit të kompanisë.

Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet.

Gjatë shoqërimit nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, shtetasit E. S. i janë shkaktuar dëmtime trupore.

Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilat kanë nxjerrë shtetasin E. S. nga ambienti ku mbahej nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë. Më pas, ai është paraqitur në ambientet e DVP Vlorë, ku ka bërë kallëzim ndaj dy punonjësve të kësaj shoqërie.

Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht dy punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, konkretisht shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Po në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht edhe 15 shtetas pjesëmarrës në tubim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos