SPAK i dha fund hetimit penal ndaj tre ish-punonjësve të Policisë së Shtetit, dy prej të cilëve akuzohen si anëtarë të grupeve kriminale të kultivimit dhe trafikut të drogës.
Dosja në ngarkim të Erdet Hazizajt, ish-specialist në Forcën e Posaçme Operacionale, Shkëlzen Ruskës, ish-specialist në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër dhe Ervis Alisinanajt, ish-shef i Krimeve në Policinë e Lushnjës, është depozituar në Gjykatën e Posaçme, ku pritet t’i nënshtrohet shqyrtimit paraprak.
Në gjykatë, Hazizaj dhe Ruska do të përballen me akuzat për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike, “grup të strukturuar kriminal”, “kryerje të veprave penale nga grupi kriminal” dhe “shpërdorim detyre”. Ndërsa i pandehuri Alisinanaj akuzohet vetëm për “shpërdorim detyre”.
Tre ish-funksionarët e Policisë së Shtetit, që në thelb të detyrës së tyre kishin luftën ndaj paligjshmërisë, dyshohet se kanë ndihmuar dhe favorizuar dy grupe të përfshira në kultivimin dhe trafikun e drogës.
Emrat e tyre dolën në skenë nga një hetim i SPAK-ut në vitin 2022 mbi një grup kriminal, i dyshuar si përgjegjës për trafikimin drejt Greqisë të 1.1 ton kanabis, 4 kg kanabis çokollatë dhe gati 1 kg vaj kanabisi, me vlerë prej 1.7 milionë eurosh, episod i shënuar në mars 2020.
I njëjti hetim dokumentoi edhe autorët e dyshuar të një grupi që kishte kultivuar 1360 bimë kanabisi në zonën Tepelenë-Gjirokastër.
Sipas SPAK-ut, Hazizaj, Ruska dhe Alisinanaj kanë kryer veprime dhe mosveprime që kanë cenuar rëndë funksionimin e rregullt të strukturave policore, duke mos marrë masa për parandalimin dhe goditjen e kultivimit dhe trafikimit të drogës. (A2 Televizion)