Pse u zhvillua Megaoperacioni i SPAK pas zgjedhjeve? Përgjigjet Dumani

Nga A2 CNN
21 Maj 2025, 12:42 | Kronikë

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani tha se data e zhvillimit të operacionit të përbashkët antidrogë mes Shqipërisë dhe Italisë, nuk ka lidhje me atë të zgjedhjeve të 11 majit në vendin tonë.

“Nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet. Ne veprojmë si skuadër edhe datën e dakordësojmë së bashku. Operacioni zhvillohet në Shqipëri dhe Itali dhe është në vazhdim. Ajo që është e sigurt është që është një datë e dakordësuar me autoritetet italiane dhe me Eurojust”, tha Dumani në një konferencë për mediat, raporton A2 CNN.

Ndërsa prokurorët italianë deklaruan se nuk kanë asnjë të dhënë që anëtarët e grupit kriminal të përfshirë në këtë operacion të kenë gëzuar nga mbështetje politike.

Më herët, prokurori i SPAK, Vladimir Mara, dha detaje mbi operacionin e zhvilluar nga SPAK dhe Prokuroria e Barit. Sipas Marës, janë lëshuar në total 52urdhërarreste në Shqipëri dhe Itali, nga të cilat janë ekzekutuar 40, raporton A2 CNN.

“Janë sekuestruar 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në qytetin e Vlorës”, tha Mara. “Gjatë këtij hetimi më parë janë sekuestruar 3 milionë euro, para cash, si të ardhura të këtij grupi kriminal, të cilat i janë nënshtruar hetimit të këtij procedimi penal”.

Operacioni u krye me mbështetjen e Interpolit, Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë në Tiranë, Policisë Shqiptare, nën koordinimin e Drejtorisë së Qarkut Antimafia të Barit dhe SPAK të Tiranës.

Sipas hetimeve, organizata kriminale shqiptare vepronte në shkallë të gjerë përgjatë rrugëve ballkanike, me degë drejt Evropës Veriore dhe vende të konsoliduara zbarkimi për drogën në Puglia, e konsideruar një qendër strategjike për shpërndarjen e narkotikëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos