
Prokuroria e Posaçme ka zbuluar tentativat e saj për t’i dorëzuar ish-kryeministrit Sali Berisha urdhër-thirrjet për paraqitje në dosjen e “21 janarit”, të cilat sipas institucioneve janë refuzuar në disa raste nga stafi dhe rojet.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit postar. E para është nisur më 3 nëntor 2025 në adresën e banesës, me kërkesën për t’u paraqitur në SPAK më 7 nëntor. Por ky dokument është kthyer mbrapsht me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”
Pas këtij refuzimi, më 7 nëntor Prokuroria ka dërguar një tjetër urdhër-thirrje në tre destinacione: banesë, Partinë Demokratike dhe Kuvendin e Shqipërisë, me datë paraqitjeje më 14 nëntor, shkruan A2 CNN.
Më 9 nëntor është refuzuar sërish marrja e zarfit në banesë, ndërsa më 12 nëntor Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve njoftoi SPAK-un se stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka refuzuar dorëzimin e njoftimit në Kuvend.
Përtej kanalit fizik, SPAK ka njoftuar se më 10 nëntor ka dërguar urdhër-thirrjen edhe në adresën zyrtare të emailit: [email protected].
Në njoftimin zyrtar theksohet se Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e të gjitha procedurave ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve që parashikon ligji. (A2 Televizion)
