
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme çështjen nr. 44/2025 ndaj tre të pandehurve për korrupsion.
Në njoftimin e SPAK bëhet e ditur se të akuzuarit janë:
-Julian Suljoti, administrator i shoqërisë “Ansoil sh.a.” në Korçë, për “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” (neni 244/2 i Kodit Penal).
-Olsi Jarazi, inspektor në detyrë pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), për “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim (neni 259/2 lidhur me nenin 25).
-Luan Sadikaj, ish-inspektor i ISHTI-t, për të njëjtën vepër penale.
Sipas njoftimit të SPAK, hetimet proaktive të zhvilluara me metoda speciale nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kanë provuar se më 1 nëntor 2021, dy inspektorët Olsi Jarazi dhe Luan Sadikaj kanë marrë nga Julian Suljoti shumën prej 900.000 lekësh dhe 10.000 dollarë amerikanë.
Këto para janë dhënë me qëllim që subjekti tregtar “Ansoil”, që tregtonte vajra lubrifikantë, të mos ndëshkohej me masë administrative, edhe pse ushtronte aktivitetin pa dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor dhe pa licencën përkatëse, shkruan A2 CNN.
Njoftimi i SPAK:
SPAK dërgon për gjykimin çështjen ndaj dy inspektorëve të ISHTI-t dhe një administratori biznesi për korrupsion
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.44 të vitit 2025, ndaj të pandehurve:
Julian Suljoti, administrator i subjektit privat “Ansoil sh. a” në Korçë, i akuzuar për veprën penale, Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Olsi Jarazi, inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial,(ISHTI), për veprën penale,“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, neni 259/2 i lidhur me nenin 25 të Kodit Penal;
Luan Sadikaj, ish-inspektor pranë pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial, I(SHTI), për veprën penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, neni 259/2 i lidhur me nenin 25 të Kodit Penal.
Gjetjet e hetimeve
Nga hetimet proaktive me metoda speciale hetimore, të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) rezulton se në datën 1.11.2021, të pandehurit Olsi Jarazi dhe Luan Sadikaj, me detyrë inspektorë të Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), kanë marrë shumat monetare 900.000 (nëntëqind mijë) lekë dhe 10.000 (dhjetë mijë) dollarë nga shtetasi Julian Suljoti, administrator i një subjekti privat që tregëtonte vajra lubrifikantë në Korçë.
Shumë e parave është marrë për të mos ndëshkuar me masë administrative subjektin privat, i cili ushtronte aktivitetin tregtar pa dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor dhe licensën përkatëse.
Procedim penal është regjistruar mbi bazën e akteve të procedimit penal, nr. 385/1 të vitit 2023 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244, paragrafi 2 dhe 259, paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal, i cili është sjellë për kompetencë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. (A2 Televizion)
