"Shënjestra" e Dumanit, Elton (Oti) Kila rrëfen çfarë i tha babai i Suel Çelës

Nga Armand Bajrami
11 Nëntor 2025, 19:01 | Kronikë

Elton Kila, i njohur edhe si Kastriot Kila, ose si Oti Kila, për ekzekutimin e të cilit dyshohet se ishte nisur Nuredin Dumani 29marsit e vitit 2022, kur ra edhe vetë pre e një atentati, dëshmoi të martën në Gjykatën e Posaçme. Para të pandehurve të dosjes “Plumbi i artë”, por në një sallë ku nuk ishte i pranishëm i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, Kila tha se nuk kishte pasur probleme me njeri. Dëshmitari i thirrur nga SPAK në proces, tregoi se ditën kur Nuredin Dumani ishte plagosur në një atentat në aksin Peqin-Elbasan, kishte qenë në Gjermani bashkë me familjen e tij. 

“Kur u ktheva në Shqipëri, tha dëshmitari, pas një jave, përfliteshin shumë emra. Pas 2 muajsh doli lajmi se Dumani do vinte për të më vrarë mua në Elbasan”.

I pyetur nga prokurorët se përveç medias kush ia kishte thënë këtë fakt, dëshmitari ta se nuk e kujtonte. 

“S’e mbaj mend kush më ka thënë se mu errën sytë. Nuk mund ta besoja. Ma kanë thënë disa herë. Edhe policë ma kanë thënë, që flitej se ishte për mua”, tregoi dëshmitari.

Elton Kila tha se nuk e njihte atëkohë dhe as nuk e kishte dërguar ndonjëherë emrin e Nuredin Dumanit, ndërsa kishte njohje me Florenc Çapjen, ndërsa Suel Çelën e kishte njohje që në fëmijëri. Pa thënë referencën kohore dëshmitari rrëfeu një takim me babain dhe vëllanë e të shumërkërkuarit Suel Çela tek tregu Agro-Ushqimor. 

“Kur u përfol emri im, që kanë shkruar gazetat, se ka paguar Suel Çela për të më vrarë mua, kam kërkuar takim te tregu ushqimor. Takova babain e tij, Petritin. Erdhi edhe vëllai, Mario pastaj. Petriti më ra nga shpatullat e më tha, me vërtet je bërë merak për këtë. Unë gjysmë i qetë isha, pasi nuk e besova që mund të ishte e vërtetë. Me Suelin nuk jam takuar e nuk kam folur për këtë situatë”, dëshmoi Kila. 

Më herët në proces, i penduari Dumani ka pohuar se ishte porositur nga Suel Çela për ekzekutimin e Elton Kilës, që i referohej si Oti Kila.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos