
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 3 vite e 8 muaj burg Shpend Sokolin, i cili shpallur fajtor për mashtrim kompjuterik dhe përfshirje në tregti të paligjshme të të dhënave personale.
Sokoli ishte pjesë e platformës kibernetike ilegale “RYDOX”, ku shiteshin informacione sensitive për individë dhe biznese, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga aktiviteti i kësaj platforme u prekën rreth 18 mijë llogari.
Fillimisht, gjykata e dënoi Sokolin me 5 vite e 6 muaj burg, por për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi u ul në 3 vite e 8 muaj. Ai do ta vuajë dënimin në një institucion të sigurisë së lartë, shkruan A2 CNN.
Po ashtu, është urdhëruar sekuestrimi i llogarisë së tij në platformën e kriptomonedhave Binance, si dhe kthimi i provave materiale të sekuestruara tek personat që u përkasin.
Nga hetimet rezulton se që prej shkurtit të vitit 2016, platforma “RYDOX” kishte realizuar mbi 7600 transaksione të shitjes së të dhënave, duke gjeneruar të ardhura prej të paktën 230 mijë dollarësh.
(A2 Televizion)
|
|
|||
![]() |
|||
