
Strukturat për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës intensive për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik, finalizoi operacionin e koduar “Posta e Rreme 2”.
“Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetas të huaj kishin krijuar faqe të rreme që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare dhe, nëpërmjet dërgimit të SMS-ve me linqe mashtruese, synonin të merrnin të dhëna personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë, me qëllim përfitimin e paligjshëm të vlerave monetare nga llogaritë e tyre bankare.
Në kuadër të operacionit u ndalua shtetasi francez Z. K., 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi gjerman T. M., 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale. Gjatë operacionit u sekuestruan celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente të ndryshme dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik””, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të mos klikojnë në linqe të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale, të verifikojnë gjithmonë adresën zyrtare të institucioneve përpara se të plotësojnë të dhënat personale apo bankare; të mos japin asnjëherë numra kartash bankare, kode sigurie apo fjalëkalime në faqe të paverifikuara; Të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, çdo rast të dyshuar mashtrimi online.
(A2 Televizion)