Zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherazi Ministre për Energjinë dhe Infrastrukturën, u paraqit të premten në SPAK, ku iu komunikua akuza e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas një njoftimi të Prokurorisë së Posaçme, numri dy i qeverisë u mor e pandehur për llogari të një hetimi penal mbi shkelje të ligjit në proicedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, shkruan A2.
Zv/kryeministrja Balluku u paraqit në godinën e qelqtë në orën 15:07 minuta, ndërkohë që pak më parë aty mbërriti përfaqësuesja e saj ligjore, Pamela Qirko. Pas një qëndrimi prej gati 40 minutash në SPAK, Balluku zgjodhi të mos ndajë detaje mbi arsyen e thirrjes së saj.
Pak minuta më vonë, SPAK njoftoi zyrtarisht se deri në këtë fazë të hetimit paraprak, faktet penale objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku kanë të bëjnë me veprimet e saj në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit objekt hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Sarandë”.
Sipas SPAK, procedura në fjalë e zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit, procedura është rihapur në datën 22.6.2021 fond limit 18.9 miliardë lekë. Struktura e Posaçme bëri me dije se zv/kryeministrja ishte thirrur për t’u paraqitur në SPAK ditën e hënë, por për shkak se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e kërkuar, iu dërgua një tjetër fletëthirrje për ditën e premte. (A2 Televizion)
