Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykimin e procedimit penal në ngarkim të 33 të pandehurve: mes tyre vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, Talo Çelës, Maklen Micit, Eljo Bitrit, Pajtime Fetahut dhe Dashnor Dumani, vëllai i Nuredin Dumani, i penduar i Drejtësisë tek dosja e ‘Plumbit të artë’.
Në njoftimin zyrtar SPAK thotë se në mbyllje të hetimeve ka dalë në përfundimin se në bashkëpunim edhe me autoritetet e huaja (përmes dërgimit të letërporosive për paketën e kodeve PIN SKY ECC), është evidentuar dhe dokumentuar ekzistenca e një organizate kriminale, e njohur si “Çopja”, e përfshirë në:
“1- Vrasje me pagesë dhe tentativa për eliminimin e kundërshtarëve. Pagesat për ekzekutimet siguroheshin nga të ardhurat e trafikut të kokainës.
2- Korrupsion të funksionarëve të sistemit të drejtësisë dhe punonjësve të policisë.
3- Rekrutimin e punonjësve të policisë të Drejtorive Vendore, Durrës dhe Elbasan me qëllimin marrjen e informacionit dhe mbështetje operative.
4- Pastrimin e produkteve të veprës penale përmes investimeve në sektorin imobiliar dhe bizneseve të tjera në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.”
Veprimtaria kriminale e vëllezërve “Çopja” daton rreth viteve 2006 – 2007. Ata fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërndarë sasi të vogla të lëndës narkotike të llojit kokainë. Ndërsa me kalimin e viteve, vëllezërit Çopja u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, duke e zgjeruar aktivitetin edhe në vende të tjera të Europës, kryesisht në Holandë, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
SPAK thotë se pas vitit 2018, vëllezërit Çopja janë shndërruar në një organizatë kriminale të mirëfilltë, e cila në bashkëpunim edhe me grupe të tjera të krimit të organizuar transnacional, zgjeroi veprimtarinë e saj kriminale në trafikimin e drogave të forta, kryesisht të kokainës.
Në vitin 2018 filloi edhe vrasjen e kundërshtarëve, të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Europë dhe më gjerë, përmes ekzekutimeve me pagesë.
Në organizatën kriminalë me drejtues Hajdar dhe Franc Çopja, Mikael Qosja është organizator i vrasjeve, ndërsa krah i aramtosur i organizatës janë Talo Çela, Eljo Bitri, dhe Flobenc Meçja.
Organizata kriminale “Çopja”, përmes lidhjeve të saj arriti të korruptojë gjyqtarë për të krijuar aksese, me qëllim mbylljen e çështjeve në ngarkim të tyre ose rëndimin e pozitës së kundërshtarëve.
Lidhjet e tyre në organet e Drejtësisë ishin Pajtime Fetahu, e cila në vitin 2020 ka qenë gjyqtare në Elbasan, Denada Tode që ka qenë Sekretare gjyqësore, pranë të njëjtës gjykatë si dhe persona të tjerë për të cilët vijojnë hetimet.
Lidhjet në Policinë e Shtetit kanë qenë me Agustin Çinarin, punonjës policie në Durrës dhe Martin Musaj, punonjës policie në Elbasan, por dhe persona të tjerë për të cilët vijojnë hetimet.
Sa i përket sekuestrimit të pasurive, numërohen më shumë se 40 prona të paluajtshme, vila apartamente, pasuri shërbimi dhe toka në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Janë sekuestruar gjithashtu llogari bankare në monedha të ndryshme në disa banka të nivelit të dytë. (A2 Televizion)