Strukturë e re për Policinë e Shtetit, policia kriminale pushtet të gjerë, edhe Europolin në varësi

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2025, 16:48 | Kronikë

Strukturë e re për Policinë e Shtetit, policia kriminale pushtet

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka nisur diskutimet e mbyllura për krijimin e strukturës së re drejtuese. Ajo që vihet re në draftin që e disponon A2CNN është fakti se pushteti i Policisë së Shtetit përqendrohet në duart e dy posteve kryesore, atë të drejtorit të përgjithshëm dhe drejtorit të policisë kriminale.

Policia e Shtetit po përgatit strukturën e re drejtuese, e cila pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e organizimit dhe shpërndarjes së kompetencave. Në Drejtorinë e Përgjithshme, drejtues të lartë u mblodhën për të diskutuar mbi draftin që aktualisht është ende konfidencial dhe nuk është bërë publik.

A2CNN ka arritur të sigurojë dokumentin që po shqyrtohet, ku parashikohet që Policia e Shtetit të ketë 6 departamente kryesore, Policinë Kriminale, Kufirin, Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Rendin dhe Sigurinë, Shërbimet Mbështetëse dhe Teknologjinë e Informacionit.

Çdo departament do të përbëhet nga disa drejtori të brendshme, por ajo që bie në sy është fuqizimi i dukshëm i Departamentit të Policisë Kriminale, i cili do të marrë më shumë kompetenca në krahasim me strukturën aktuale. Departamenti i ri do të quhet “Departamenti për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda”, dhe do të përbëhet nga 7 drejtori: 1. Hetimi i Narkotikëve dhe Trafiqeve 2. Hetimi i Krimeve Ekonomike dhe Financiare 3. Hetimi i Krimeve të Rënda 4. Forca e Posaçme Operacionale 5. Emergjenca dhe Arkiva Kriminale 6. Hetimi i Krimit Kibernetik 7. Drejtoria e Europol.

Burime konfirmojnë se me këtë ndryshim do të shfuqizohet Drejtoria e Krimit të Organizuar, aktualisht e drejtuar nga Edmond Rizai, për shkak të mbivendosjeve me Drejtorinë e Antidrogës. Ndërkohë, një risi tjetër është vendosja e Drejtorisë së Europol nën varësinë e Policisë Kriminale, edhe pse në shumicën e vendeve të Europës, Europol dhe Interpol janë bashkë në një njësi të vetme.

Me këtë ristrukturim, pushteti në Policinë e Shtetit pritet të përqendrohet vetëm në dy poste kryesore atë të Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Departamentit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda, aktualisht Policia Kriminale që drejtohet nga Neritan Nallbati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos