Të shtëna me armë në Vlorë, dy të plagosur, gjendet i djegur mjeti i autorëve

Nga Edi Ruçi
18 Dhjetor 2024, 21:48 | Kronikë

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në lagjen "Çole" të qytetit të Vlorës.

Një person që udhëtonte me një Benz ngjyrë gri është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një makinë tjetër në lëvizje, e cila më pas u largua me shpejtësi.

Për pasojë kanë mbetur të plagosur 30 vjeçari Kevin Hajrullah, i cili ishte dhe objektivi i atentatit teksa plumbat nuk kanë kursyer dhe 37 vjeçarin Armando Spahiu që shiste fruta-perime në një dyqan pranë vendngjarjes.

Forca të shumta policia kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e saj. Pak minuta pas ngjarjes, mësohet se një automjet është gjetur duke u djegur në autostradën Levan-Vlorë, e cila dyshohet se iu përket autorëve.

Paraprakisht raportohet se i plagosuri Kevin Hajrullah ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi drejt makinës së tij janë qëlluar dhjetëra plumba, gëzhojat e të cilave kanë mbushur trotuarin.

Ndërkohë, për ngjarjen e rëndë ka tronditur edhe qytetarët e Vlorës. Njëri prej tyre, i cili ka qenë jo shumë larg vendngjarjes është shprehur se është shtrirë menjëherë në tokë sapo ka dëgjuar të shtënat.

“Sa dëgjova një të shtënë u shtriva. S’pash asgjë. Unë isha duke parë televizor dhe në moment sa dëgjova krismat u shtriva barkas”, thotë ai. 

Në mjetin e djegur të llojit “KIA” janë gjendur dy kallashnikov si dhe dy karikatorë të tyre. I plagosuri i dytë Armand Spahiu ka marrë një plagë në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Kevin Hajrulla ndodhet në sallën e operimit në gjendje shumë të rëndë. (A2 Televizion)

 

A2 CNN Livestream

Latest Videos