Korrupsioni për “Toyota Yaris”, mbyllet hetimi për ish-drejtuesin e Prokurorisë Vlorë dhe 3 të tjerë

Nga Armand Bajrami
18 Dhjetor 2024, 15:13 | Kronikë

Prokuroria e Posaçme, SPAK përfundoi hetimet ndaj drejtuesin e pezulluar të prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka dhe funksionarë të tjerë të drejtësisë, të dyshuar për korrupsion me qëllim lehtësimin e të akuzuarve të dosjes “Toyota Yaris”, shkruan A2 CNN.

Sipas SPAK, kryeprokurori që u hetua në masën e sigurisë “arrest në burg” dhe tre persona të tjerë të shpallur në kërkim, mes të cilëve edhe Erjona Daupaj, ish-oficere e Policisë Gjyqësore dhe avokati Radovan Çela kanë ushtruar ndikim të paligjshëm, kanë marrë ryshfet, por edhe dhënë ryshfet funksionarëve të drejtësisë.

Hetimi i SPAK u ndihmua nga autoritetet belge, që përcollën në Shqipëri komunikimet e kryera mes të dyshuarve përmes aplikacionit SKY ECC. Burime pranë SPAK bënë me dije për A2 CNN se ish-drejtuesi i prokurorisë së Vlorës, Zarka dhe avokati Radovan Çela akuzohen për “korrupsion” dhe “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë”. Përveç këtyre akuzave për ish-oficeren Daupaj rëndon edhe akuza e “zbulimit të akteve sekrete”, ndërsa për Astrit Vladin “korrupsioni pasiv”.

Referuar hetimit të SPAK të akuzuarit kanë ndërhyrë në 4 raste për dosjen “Toyota Yuaris”,dosje që nisi për “grup kriminal” e “pastrim parash”, por përfundoi me vetëm një të dënuar 1 vite e 6 muaj burg nga gjykata e zakonshme. Po sipas SPAK, të dyshuarit kanë ndikuar në hetimin pasuror nga SPAK ndaj Suel Çelës, në një çështje për vjedhje dhe dy për “kultivim narkotikësh”. Pas mbylljes së hetimit, të pandehurit kanë 10 ditë kohë për të paraqitur prapësime e më pas dosja do të depozitohet në gjykatë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos