Trafik kokaine nga Amerika e Jugut drejt Europës, SPAK dërgon në gjyq 24 persona

Nga A2 CNN
12 Maj 2026, 16:33 | Kronikë

Trafik kokaine nga Amerika e Jugut drejt Europës, SPAK dërgon në

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar dosjen e koduar “Ura”, ku nën akuzë janë 24 persona të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale që vepronte mes Shqipërisë dhe Italisë në trafikimin ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave.

Sipas SPAK, grupi kriminal operonte nga territori shqiptar me degëzime në Itali dhe kishte si aktivitet kryesor importimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës dhe lëndëve të tjera narkotike që vinin nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Mes personave të marrë të pandehur janë Elvis Doçi, Olgert Shqevi dhe Indrit Tafili, të akuzuar për trafik narkotikësh, pastrim parash, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje veprash penale në kuadër të organizatës kriminale.

Ndërsa Artan Sulejmani, Nexhmedin Danaj, Orges Molla, Sueld Elezi, Genti Nderjaku, Hasan Nderjaku, Altin Morina, Emri Hysenaj, Artur Shkoza, Sokol Isteri, Ervin Zeqiri, Gëzim Thartori, Ledio Bardhi dhe Juxhin Drazhi akuzohen për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në dosje janë përfshirë edhe Erind Lasku, Musa Korça, Alfred Hysa, Ligor Çombashi, Rando Aliu, Altin Pjetri dhe Edmond Çupi, të cilët akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale.

Hetimet janë zhvilluar në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes SPAK dhe Prokurorisë Antimafia të Barit në Itali. Sipas dosjes, të pandehurit kanë komunikuar përmes platformës së enkriptuar SkyECC, ndërsa të ardhurat nga trafiku i drogës transportoheshin përmes autobusëve të linjave ndërkombëtare për të shmangur kontrollin dhe deklarimin financiar.

Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të mëdha droge në Itali dhe Holandë, mes tyre:

932 kilogramë kokainë në Reggio Calabria;

2020 kilogramë kokainë në Rotterdam;

23 kilogramë kokainë në Veneto;

400 kilogramë hashash në Bari;

275 kilogramë lëndë narkotike në Rimini.

Po ashtu, në kuadër të hetimit janë sekuestruar mbi 4 milionë euro cash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos