Dy persona janë arrestuar nga Policia me urdhër të Prokurorisë Tiranë, pasi akuzohen për evazion fiskal dhe pastrim parash. Në pranga ranë Arlinda Marku dhe Darin Gezdari, raporton A2 CNN.
“Ata u ndaluan gjatë finalizimit të operacionit ‘cost to cost’ në zbatim të vendimeve të kontrollit, të dhëna nga gjykata mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi nëpërmjet një skemë mashtrimi arritën të transferojnë përgjatë dy viteve nga kompani guaskë jashtë vendit drejt kompanisë shqiptare rreth 11 milionë euro”.
Këta dy persona u ndaluan pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare duke përdorur kompani guaskë në shtetet e parajsave fiskale si Qipro, Giblartar, Maltë, etj”.
Sipas Prokurorisë, këto para transferoheshin në shtetin shqiptar në shoqëri të krijuara në mënyrë fiktive, dhe më pas transferoheshin në shtetin kanadez, i gjithë ky aktivitet i dyshuar kriminal është kryer në funksion të pastrimit të produktit të veprës penale.
Nga hetimi i zhvilluar dhe provat e grumbulluara dyshohet se në këtë skemë mashtrimi janë të përfshirë shtetas të tjerë shqiptarë e të huaj të lidhur me këtë aktivitet kriminal për të cilët po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të tyre. (A2 Televizion)