Veliaj bojkoton seancën në GJKKO, gjykata vendos vijimin e procesit. Avokatët kërkojnë më shumë kohë

Nga A2 CNN
16 Qershor 2026, 11:05 | Kronikë

Veliaj bojkoton seancën në GJKKO, gjykata vendos vijimin e procesit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk u paraqit në seancën e së martës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Përmes një deklarate drejtuar gjykatës, Veliaj bëri me dije se kishte dijeni për zhvillimin e seancës, por nuk dëshironte të merrte pjesë pasi, sipas tij, nuk i ishin vënë në dispozicion 24 fashikujt e çështjes dhe provat digjitale. Ai pretendoi gjithashtu se gjykata nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore që i japin të drejtën të marrë pjesë si person i lirë në sallën e gjyqit.

Avokati i tij argumentoi se aktet e kërkuara ishin dorëzuar vetëm pak orë para seancës dhe kërkoi kohë shtesë që klienti të njihej me materialet për të garantuar një mbrojtje efektive.

“Ashtu si relatuat, z.Veliaj ka pohuar se ende nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet, akte që ju morët vendim për t'ju vënë. Për të qenë të sinqertë, në orën 3 e gjysmë u njoftuam nga sekretaria gjyqësore që janë dorëzuar aktet. Veliajt duhet t'i lihet koha e nevojshme të njihet me to për të pasur mundësinë e një mbrojtjeje efektive”, tha avokati i Veliajt.

Nga ana tjetër, prokurori Olsi Dado kundërshtoi kërkesën për shtyrje, duke theksuar se dokumentet e vëna në dispozicion lidhen me episode dhe persona të tjerë të procedimit penal dhe nuk përbëjnë shkak për ndërprerjen e procesit.

“Aktet proceduriale, që vendosi gjykata, i përkasin të pandehurve të tjerë. Bëhet fjalë për episode të veçanta, që i përkasin personave të veçante. Nuk shoh arsye për të shtyre seancën”, u shpreh Olsi Dado.

Pas shqyrtimit të kërkesave, gjykata vendosi vijimin e seancës, duke argumentuar se natyra e akteve të kërkuara nuk justifikon shtyrjen apo ndërprerjen e gjykimit.

"Vënia në dispozicion e akteve të kërkuara, për nga natyra e tyre, nuk përbën shkak për ndërprerjen dhe shtyrjen e seancës", u shpreh gjykata.

Gjatë seancës u bë e ditur gjithashtu se kërkesa për heqjen dorë nga gjykimi e anëtarit të trupit gjykues, Besmir Stroka, nuk është pranuar nga zëvendëskryetari i gjykatës.

“Më datë 3.6.26 është marrë vendim nga zv.kryetari i gjykatës për kërkesën për heqje dorë nga gjykimi të anëtarit Besmir Stroka nga treshja gjykuese. Zv.kryetari ka vendosur të mos e pranojë këtë kërkesë”, u shrpeh gjykata.

Ndërkohë, mbrojtja e Veliajt njoftoi se do të paraqesë kërkesë për kundërshtimin e gjyqtares Flora Hajredinaj.

Ne kemi kundërshti për gjyqtaren Flora Hajredinaj. Do të paraqesim kërkesë, sipas ligjit, për këtë qëndrim.

Nga ana e tij, avokati Dritan Jahaj, që përfaqëson Mirton Likën dhe kompaninë “Lani” sh.p.k., kërkoi veçimin e çështjes për klientët e tij, duke argumentuar se ata nuk janë funksionarë të lartë publikë dhe se gjykimi i tyre në të njëjtin proces me të pandehurit e tjerë cenon interesat e mbrojtjes.

"Vlerësojmë se kjo gjykatë nuk është kompetente për shqyrtimin e të mbrojturve prej nesh. As Mirton Lika e as "Lani shpk" nuk janë funksionarë të lartë. Nuk ka as bashkëpunim. Veçimi ynë nuk e pengon procesin, madje ne do cenoheshim, po të rrinim në të njëjtën çështje me të pandehurit e tjerë”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos