Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar zyrtarisht se ka caktuar ditën e shtunë, 22 nëntor ora 09:00 për zhvillimin e seancës gjyqësore për verifikimin e masave të sigurisë për zëvendëskryeministren Belinda Ballukut, dhe vartësit e saj, Gentian Gjylit dhe Erald Elezit, shkruan A2 CNN.
Të mërkurën Gjykata e Posaçme caktoi dy masa sigurie për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, “pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Përveç masave ndaj Ballukut, Gjykata vendosi edhe dy masa sigurie “arrest në shtëpie” për dy funksionarë të tjerë, Gentian Gjylin drejtorin aktual të ARRSH dhe Erald Elezin drejtor i KESH. Në kohën e kryerjes së veprës penale Gjyli dhe Elezi kanë qenë anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave (KVO).
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 31 tetor komunikoi zyrtarisht se ka ngritur akuzë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK, akuzat për shkelje të barazisë në tendera për Ballkukun lidhen me çështjen e tunelit të Llogarasë dhe për lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë. (A2 Televizion)
