VIDEO| Goditet grupi i hajdutëve, të maskuar dhe me leva ishin kthyer në tmerrin e bizneseve

Nga A2 CNN
2 Prill 2025, 13:43 | Kronikë

Policia ka bërë të ditur se ka vënë në pranga 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë pasi dyshohen si autor të disa vjedhjeve.

“Vihen në pranga 4 autorë dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë, pjesëtarë të këtij grupi. Mes të arrestuarve, njëri prej autorëve në kërkim për dy vepra të tjera penale.

Si rezultat i bashkëpunimit me qytetarët dhe hetimeve të kryera pas denoncimeve për vjedhje të ndodhura në Fushë Krujë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Formacioni”.

Në kuadër të këtij operacioni u identifikuan 7 pjesëtarë të një grupi kriminal në fushën e vjedhjes, njëri prej të cilëve i arrestuar më herët, të cilët dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve në Fushë Krujë.

Në kuadër të operacionit u arrestuan shtetasit: A. B., 24 vjeç, (në kërkim dhe për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”), G. L., 33 vjeç dhe K. B., 29 vjeç, të tre banues në Kamzë.

Shtetasi K. B. u kap në flagrancë teksa drejtonte pa leje një automjet të marrë me qira, të cilin grupi e kishte përdorur për të kryer dhe për t’u larguar nga vendngjarjet. Automjeti u sekuestrua si provë materiale.

U shpallën në kërkim shtetasit G. V., 22 vjeç, L. K., 33 vjeç dhe F. B. (D.), 33 vjeç, banues në Kamzë. Gjithashtu, si pjesë e këtij grupi u identifikua dhe shtetasi A. R., i arrestuar më herët nga Policia për vjedhje.

Nga hetimet e kryera, dyshohet se:

                •             Më datë 27.03.2025, të 7 shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur 16 000 lekë në një subjekt për transferta parash;

                •             Më datë 28.03.2025, 6 prej këtyre shtetasve kanë vjedhur 21 celularë në një dyqan.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, vijojnë hetimet për dokumentimin me prova ligjore të vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky grup”, njofton policia.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos