Çfarë ka ndryshuar në Serbi në pesë ditët e para pas fitores së Listës Studentore?

Nga A2 CNN
30 Tetor 2026, 23:10 | Ballkani

Çfarë ka ndryshuar në Serbi në pesë ditët e para

Lista Studentore, fituese e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ende nuk e ka marrë pushtetin, por ndryshimet e para tashmë janë të dukshme.

Nga largimi i kampit me tenda përpara Presidencës së Serbisë dhe mbulimi i grafiteve me mesazhe urrejtjeje, deri te dorëheqjet, shkarkimet dhe kërkimfaljet në transmetuesit publikë.

Ndërkohë, festivali muzikor Exit ka njoftuar rikthimin në Novi Sad.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë sjell zhvillimet që kanë shënuar pesë ditët e para të ndryshimeve politike në Serbi, atmosferën që i ka shoqëruar ato dhe reagimet e qytetarëve.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore mposhti Partinë Përparimtare Serbe (SNS) dhe ish-presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kjo i dha fund qeverisjes 14-vjeçare të SNS-së dhe partnerëve të saj të koalicionit, përcjell A2.

Dy vjetët e fundit të qeverisjes së tyre u shënuan nga protesta masive kundër pushtetit, në të cilat u kërkua përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në Novi Sad.

Ata humbën jetën më 1 nëntor 2024, kur u shemb streha prej betoni e stacionit hekurudhor të rinovuar në këtë qytet.

Parku i Pionierëve rihapet, largohet “Qacilendi”

Parku i Pionierëve në Beograd është rihapur për qytetarët.

Nga ky park, pranë Presidencës së Serbisë, është larguar kampi i mbështetësve të pushtetit, i njohur si “Qacilendi”.

Tendat dhe rrethojat metalike të kampit u rrëzuan gjatë festimeve, në orët e para pas shpalljes së fitores së Listës Studentore.

Të nesërmen, qytetarët, me ndihmën e shërbimeve komunale, organizuan një aksion për ta kthyer parkun në gjendjen e mëparshme.

U larguan mbeturinat, u pastruan stolat dhe këndet e lojërave për fëmijë, si dhe u mbollën lule.

“Ja, po pastroj dhe po qaj”, tha për Radion Evropa e Lirë Ksenija, një banore e Beogradit.

Qytetarët u kthyen në parkun në qendër të qytetit të Beogradit pas një viti e gjysmë, gjatë të cilit ai kishte qenë i mbyllur.

“Ishte e tmerrshme ta shihja nga dritarja dhe të mos mund të hyja. Tani jam shumë e lumtur që mund të pastroj dhe të hyj në parkun tim”, u shpreh Mirjana Markoviq.

Për një vit e gjysmë, “Qacilendi” ishte shndërruar në simbol të pushtetit të Partisë Përparimtare Serbe dhe të ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kampi ishte ngritur në mars të vitit 2025, si kundërpërgjigje ndaj protestave kundër pushtetit në Serbi, në të cilat kërkohej përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në Novi Sad.

Në të, përveç mbështetësve të pushtetit, qëndronin edhe pjesëtarë të grupeve të ekstremit të djathtë, persona me dosje kriminale, madje edhe individë të dënuar për vrasje.

Qasja në kamp ishte e ndaluar, përfshirë për gazetarët, ndërsa përreth tij ishte vendosur policia.

Pikërisht në Parkun e Pionierëve, përfaqësuesit e Listës Studentore mbajtën konferencën e tyre të parë për media.

Dorëheqje, shkarkime dhe kërkimfalje në RTS

Në Radio Televizionin e Serbisë (RTS) kanë nisur ndryshimet në drejtimin e transmetuesit publik serb.

Fillimisht, drejtoresha e përgjithshme, Manja Gërçiq, shkarkoi kryeredaktoren përgjegjëse të Programit Informativ, Bojana Mllagjenoviq.

Më pas, edhe vetë Gërçiq dha dorëheqje, pas kërkesave të një pjese të punonjësve dhe të lëvizjes studentore.

Së shpejti u shkarkuan edhe redaktorë të disa redaksive, përfshirë ata të edicionit qendror të lajmeve të orës 19:30.

Pas këtyre ndryshimeve, RTS-ja u kërkoi falje shikuesve për “gjithçka që ishte lënë pa u raportuar gjatë periudhës së mëparshme”.

Në një mesazh të lexuar nga prezantuesi i lajmeve, kërkimfalja u cilësua si “masa e parë drejt shërimit”, ndërsa u paralajmërua përkushtim ndaj përmbajtjeve programore në interes të publikut.

“Duam ta rikthejmë besimin tuaj”, ishte mesazhi i kolegjiumit të ri redaktues të Programit Informativ të RTS-së.

Megjithatë, studentët pjesëmarrës në protesta thanë se nuk e pranojnë kërkimfaljen, por kërkojnë dorëheqje.

Ata kishin kërkuar më herët dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm, zëvendësit të tij dhe drejtuesve të Programit Informativ të RTS-së.

“Qytetarët kanë të drejtë të informohen në mënyrë të vërtetë, të plotë dhe të paanshme. Kërkojmë çlirimin e transmetuesit publik nga ndikimet politike”, thanë studentët më 27 tetor.

Një punonjëse e RTS-së kishte dëshmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se pushteti priste nga ky medium “të mos bënte zhurmë, të heshte, të fshihte informacione dhe të ishte besnik”.

Organizatat mediatike kishin paralajmëruar prej vitesh se RTS-ja nuk ishte e pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe se shmangte raportimin për ngjarje që nuk i përshtateshin qeverisë.

Drejtuesit e RTS-së i kishin hedhur poshtë këto pretendime dhe kishin vazhduar me politikën e tyre redaktuese deri në zgjedhje.

Gjatë viteve të fundit, përpara ndërtesës së RTS-së ishin organizuar disa herë protesta kundër mënyrës së raportimit të transmetuesit publik.

Kërkimfalje dhe dorëheqje edhe në RTV

Kërkimfalja e parë nga një transmetues publik erdhi vetëm një ditë pas zgjedhjeve.

Radio Televizioni i Vojvodinës (RTV) kërkoi falje për heshtjen shumëvjeçare ndaj ngjarjeve të rëndësishme, informimin e njëanshëm dhe raportimin jokritik.

“U hesht, u mbyll njëri sy, u informua në mënyrë të njëanshme, u raportua pa kritikë, nuk u shtruan pyetjet e duhura ose nuk u shtruan fare pyetje”, thuhej në kërkimfaljen që u lexua nga prezantuesi i lajmeve.

Kjo kërkimfalje tërhoqi vëmendje edhe jashtë Serbisë.

Mes atyre që e shpërndanë ishte edhe ish-tenistja e njohur Martina Navratilova.

Pas kërkimfaljes pasuan edhe dorëheqjet e drejtuesve të RTV-së.

Drejtori i përgjithshëm, Goran Karaxhiq, dha dorëheqje më 30 tetor.

Para tij, dorëheqje kishin dhënë kryeredaktori përgjegjës, Nenad Qaqiq, si dhe redaktoret e Programit të Parë të Radios dhe të redaksisë së internetit të RTV-së.

Një pjesë e punonjësve të RTV-së kishin marrë pjesë gjatë dy vjetëve të fundit në aktivitetet për përkujtimin e viktimave të shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad.

Ata kishin kërkuar gjithashtu raportim profesional nga transmetuesi publik i Vojvodinës.

RTV-ja ishte kritikuar për raportim të njëanshëm që nga viti 2016, kur u shkarkuan drejtori i programit dhe 14 redaktorë të Programit Informativ.

Në atë kohë, disa drejtues kishin dhënë dorëheqje, ndërsa gazetarë të tjerë ishin larguar nga RTV-ja për shkak të asaj që e cilësonin si “censurë”.

Nisin kontrollet në prokurori
Një komision i Prokurorisë së Lartë Publike të Serbisë po kontrollon ligjshmërinë e punës së Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, e cila drejtohet nga Nenad Stefanoviq.

Kontrolli po zhvillohet me urdhër të kryeprokurores publike, Zagorka Dollovac.

Sipas njoftimit, po shqyrtohen të gjitha lëndët, me vëmendje të veçantë ndaj atyre që veçohen për nga rrezikshmëria shoqërore e veprës penale, dënimi i paraparë dhe niveli i sekretit.

“Kërkesat e mëparshme për qasje në lëndë për qëllime kontrolli, në shumicën dërrmuese të rasteve, janë injoruar ose refuzuar”, njoftoi Prokuroria e Lartë Publike.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ky është kontrolli i katërt i lëndëve të saj gjatë dy vjetëve të fundit, i urdhëruar nga Prokuroria e Lartë Publike e Serbisë.

Ajo pretendon se gjatë kësaj periudhe ka dorëzuar dhjetëra lëndë për kontroll.

Ministria e Drejtësisë, në mandatin teknik, deklaroi se kontrollet e tilla janë “praktikë e rregullt në përputhje me kompetencat ligjore dhe jo diçka e papritur”.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Listës Studentore kërkuan dorëheqjen e kreut të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, dhe zëvendësit të tij, Miodrag Markoviq, për shkak të, siç thanë, “keqpërdorimit të pozitës zyrtare”.

Ata kërkuan gjithashtu që prokuroritë kompetente të veprojnë urgjentisht dhe në mënyrë të paanshme në rastet me interes të madh publik.

Lista Studentore kërkon veprim të menjëhershëm në rastin e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, rastin e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, komunikimet përmes aplikacionit Sky, aferën Krushik, aksidentin në pikën e pagesës së autostradës në Doljevac, vrasjen e Oliver Ivanoviqit, rrënimet në Savamala dhe rrëzimin e helikopterit ushtarak.

Si Nenad Stefanoviq, ashtu edhe Zagorka Dollovac, janë përballur me kritika nga qarqet profesionale gjatë viteve të fundit.

Kritikat kanë të bëjnë me mosveprimin ose mungesën e vendosmërisë në trajtimin e aferave të mëdha të korrupsionit, mungesën e transparencës dhe ndikimin politik në punën e prokurorisë.

Mbulohen grafitet me mesazhe urrejtjeje

Qytetarë, aktivistë dhe artistë kanë marrë në duar furçat dhe bojën.

Nëpër Beograd, ata po mbulojnë grafitet me mesazhe urrejtjeje dhe ato që përmbajnë mesazhe politike kundër studentëve protestues dhe kundërshtarëve të pushtetit në largim.

Po mbulohen edhe muralet kushtuar kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, si dhe mbishkrimet me mesazhin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Gjatë pranverës, fasadat e ndërtesave në Beograd ishin mbushur me grafite fyese kundër pjesëmarrësve në bllokadat studentore dhe kundërshtarëve të Partisë Përparimtare Serbe.

Në disa rrugë, pothuajse çdo fasadë kishte mbishkrime në të cilat studentët protestues quheshin “terroristë” dhe “ustashë”.

Tani, këto grafite po mbulohen me bojë të bardhë ose po zëvendësohen me vizatime lulesh dhe mesazhe pozitive.

Arrestohet drejtori i gjimnazit në Novi Sad

Drejtori i gjimnazit “Jovan Jovanoviq Zmaj” në Novi Sad, Radivoje P. Stojkoviq, u arrestua më 28 tetor dhe iu caktua masa e ndalimit prej 48 orësh.

Arrestimi erdhi pasi ai kishte refuzuar të zbatonte vendimet e formës së prerë të gjykatës, të cilat e obligonin t'u mundësonte katër profesorëve kthimin në punë.

Pas arrestimit të drejtorit, nxënësit e gjimnazit organizuan një pritje solemne për profesorët e pezulluar, ndërsa kori i shkollës këndoi himnin e saj.

Drejtori kishte refuzuar të rikthente në punë profesorët e pezulluar dhe të larguar, mes të cilëve ishte edhe profesoresha e sociologjisë, Marija Vasiq.

Ajo ishte arrestuar në mars të vitit 2025, nën akuzën për gjoja “rrëzim të rendit kushtetues”, në një proces që nga opinioni publik dhe qarqet opozitare ishte cilësuar si i motivuar politikisht.

Kur shpalli zgjedhjet parlamentare, para se të jepte dorëheqje, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se kishte falur grupin e aktivistëve nga Novi Sadi, përfshirë profesoreshën Vasiq.

Përplasjet mes drejtorit dhe një pjese të profesorëve, prindërve dhe nxënësve, të pakënaqur me vendimet e drejtuesve të shkollës, kishin nisur pas shembjes së strehës në Novi Sad, më 1 nëntor 2024.

Si pasojë, nxënësit u detyruan të ndiqnin mësimin në ndërtesat e shkollave të tjera të qytetit.

Kriza u thellua kur katër profesorë u pezulluan për shkak të pjesëmarrjes në grevë dhe protesta.

Një nga skenat që tërhoqi vëmendje në atë periudhë ishte ajo e drejtorit, i cili, gjatë bllokimit të shkollës nga nxënësit, qëndroi për disa orë në gjunjë në oborrin e shkollës, duke u lutur.

Pas bllokadës, drejtori ndërroi bravat e shkollës, duke ua pamundësuar përkohësisht hyrjen mësimdhënësve.

Gjimnazi “Jovan Jovanoviq Zmaj” është institucioni më i vjetër i arsimit të mesëm në Novi Sad dhe numëron mbi 1.000 nxënës.

Festivali Exit rikthehet në Novi Sad

Festivali muzikor Exit do të rikthehet në qytetin ku u themelua.

Organizatorët kujtuan se kishin premtuar se festivali do të kthehej kur në Serbi të rikthehej liria.

“Edhe pse rikthimi i madh i Exit-it është planifikuar për vitin 2028, që në korrikun e ardhshëm do të mblidhemi sërish në Kalanë e Petrovaradinit për të festuar lirinë, unitetin dhe dashurinë, me një përvojë të veçantë të Exit-it, të cilën do ta zbulojmë së shpejti”, thanë organizatorët.

Festivali ishte detyruar të largohej nga Novi Sadi dhe Serbia për shkak të mbështetjes që u kishte dhënë studentëve protestues.

Pas 25 vjetësh, festivali i këtij viti u mbajt në disa vende të botës, nga Mali i Zi e Malta deri në Egjipt./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos