Vrasja e 29-vjeçarit Ermir Dedja në një lagje periferike të Durrësit ka angazhuar të paktën katër persona. Të paktën këto janë të dhënat e hetimit të Policisë së Durrësit, sipas të cilës janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona.
Ata mendohet se kanë ndihmuar dhe krijuar kushtet e nevojshme për ekzekutimin e 29-vjecarit, shkruan A2.
Më konkretisht, dy të shpallurit në kërkim kanë siguruar automjetin dhe kanë bashkëpunuar ngushtë për realizimin e ekzekutimit të Dedjas. Gjithnjë sipas të dhënave hetimore të Policisë së Durrësit, përveç dy personave në rolet e bashkëpunëtorëve, në rolin e autorëve të vrasjes mendohet se kanë qenë dy persona të tjerë, për identitetin e të cilëve policia nuk jep detaje për momentin.
Sakaq, mjeti i gjetur i djegur në fshatin Gërdec, së bashku me armën automatike, edhe pse të djegur, janë dërguar për ekazaminime në laboratorin e kriminalistikës.
Sa i takon motiveve të këtij atentati të mirëorganizuar, policia dyshon se e kaluara dhe përfshirja e viktimës në disa aktivitete të paligjshme, ngre dyshime për disa pista hetimore, por që deri më tani nuk ka ndonjë pistë zyrtare. (A2 Televizion)