Vrasja e picierit te “Komuna e Parisit”, autori i dënuar më parë, sherr me viktimën një ditë para krimit

Nga Igli Çelmeta
29 Tetor 2025, 15:11 | Kronikë

Një sherr për një tas me proshutë përfundoi në tragjedi në një lokal në zonën e “Komunës së Parisit”. 41-vjeçari Filip Shehu vrau me thikë kolegun e tij 36-vjeçar, Indrit Ismaillari. Sipas policisë Autori rezulton i dënuar më parë për “posedim të armëve të ftohta”. Gjithashtu burime bëjnë me dije viktima dhe autori ishin konfliktuar edhe një ditë para ngjarjes.

41-vjeçari Filip Shehu, i cili vrau me thikë 36-vjeçarin Indrit Ismaillari në lokalin ku të dy punonin, ka qenë edhe më parë i dënuar për “posedim të armëve të ftohta”. Burime bëjnë me dije se autori dhe viktima ishin zënë edhe një ditë para ngjarjes. Policia njoftoi se pas arrestimit të Shehut ka mundur të gjejë edhe thikën me të cilën ai ka kryer krimin.

Ngjarja e rëndë ndodhi të martën rreth orës 15:30, në ambientet e lokalit ku punonin të dy në zonën e “Komunës së Parisit” në kryeqytet. Sipas informacioneve paraprake, konflikti mes tyre nisi për një tas me proshutë dhe degjeneroi shpejt në përleshje fizike. Në kulmin e debatit, Shehu ka marrë një thikë kuzhine dhe ka goditur në qafë kolegun e tij, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Gjatë deklarimeve të para në polici, Shehu ka pohuar se mes tij dhe viktimës kishte pasur debate të përsëritura edhe më parë dhe se shpesh herë kishte pasur edhe ofendime.

Sipas dëshmitarëve, gjithçka ndodhi në sy të klientëve, ndërsa stafi i lokalit ndërhyri për të neutralizuar autorin, i cili nuk ndalonte sulmin ndaj viktimës. Indrit Ismaillari u dërgua me urgjencë drejt spitalit, por humbi jetën gjatë transportit për shkak të plagëve të marra. Në momentet e para kur ka mbërritur policia, Filip Shehu nuk ka pranuar se ishte ai që e kishte qëlluar kolegun. Kanë qenë punonjës të tjerë të lokalit ata që kanë informuar efektivët për autorësinë e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos