
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin e një dite më parë në Rinas ku u ekzekutua me breshëri plumbash Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur rëndë agjenti i AMP-së Mustafa Sheqeri. Në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, gazetari Igli Çelmeta bëri të ditur se dy minuta pas atentatit, në vendin e ngjarja ka kaluar një delegacion zyrtar.
“Dy minuta pas ngjarjes së rëndë para makinës së bërë shoshë nga plumbat ka kaluar edhe një delegacion zyrtar”, raportoi gazetari Çelmeta në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Si në një skenë filmi mafioz, Çelmeta shpjegoi të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe tha se autorët ishin të maskuar me uniforma të ngjashme me ato të FNSH-së.
“Autorët parkohen me bllokazh dhe presin momentin kur vjen automjeti i viktimës. Agresorët janë të maskuar dhe kanë uniforma të ngjashme me ato të FNSH-së për të mos u ndaluar nga patrullat e policisë dhe pse kanë qëndruar disa minuta me bllokazh në Rinas. Kanë përshkruar një rrugë prej 12.6 km pa u ndaluar nga asnjë patrullë policie. Ka dyshime që ky grup kriminal ka kryer disa vrasje. Dyshohet për vrasës me pagesë”, tha gazetari Çelmeta në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas tij nga komunikimet me policinë spanjolle rezulton se plani për ekzekutimin e Danit ka nisur që në 7 nëntor.
Gazetari i a2 CNN theksoi se i gjithë atentati mafioz ndaj Gilmando Danit në Rinas, ku mbeti i plagosur edhe agjenti i AMP-së Mustafa Sheqeri u krye në vetëm 55 sekonda.
(A2 Televizion)
