
A2 CNN ka mundur të sigurojë dëshminë e 25 vjeçarit Marjan Kodheli i cili një ditë më parë vrau me thikë babanë e tij në Shkallnur të Durrësit.
25 vjeçari mësohet të ketë dhënë përpara grupit hetimor se ka pasur konflikte të njëpasnjëshme me babanë e tij, teksa ngjarja thotë se ka ndodhur gjatë një momenti gjaknxehtësie.
"Ishim duke ngrënë bukë dhe babai mu turr. Nuk më linte të haja i qetë. Nuk e mbaj mend pse ndodhi, por kemi pasur grindje të vazhdueshme që kur jam kthyer nga Greqia, para gjashtë muajsh. Kam jetuar në Francë, jam me pasaportë franceze. Atje kam qëndruar rreth gjashtë vjet dhe më pas kam shkuar në Greqi, ku kam punuar për gjashtë muaj. Nga Greqia jam kthyer në shtëpi dhe isha i papunë. Kemi pasur debate me babain. Sherri ndodhi teksa hanim drekë. Nuk e di si ndodhi, mora thikën dhe e qëllova”, tha 25 vjeçari.
Marjan Kodheli, i cili dyshohet se ka vrarë babanë e tij me thikë në fshatin Shkallnur në Durrës, u arrestua nga policia pak minuta pas ngjarjes së rëndë.
Pas krimit, 25-vjeçari ishte larguar nga vendngjarja dhe sipas informacioneve paraprake është kapur nga policia në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në ambientet e një lokali në pronësi të motrës së tij.
Burime policore bëjnë me dije se Marjan Kodheli dyshohet të ketë probleme të shëndetit mendor dhe e goditi të atin pas një konflikti brenda banesës. Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes tragjike. (A2 Televizion)
