Zbardhet ngjarja te Casa Italia: Plagosi me armë shokun 17-vjeçar, arrestohet 19-vjeçari

Nga A2 CNN
24 Maj 2026, 09:59 | Kronikë

Zbardhet ngjarja te Casa Italia: Plagosi me armë shokun 17-vjeçar,

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur pas mesnate pranë Casa Italia-s në kryeqytet, ku mbeti i plagosur një 17-vjeçar. Sipas Policisë një 19-vjeçar është vënë në pranga pasi plagosi aksidentalisht me armë zjarri shokun e tij 17-vjeçar në një banesë në rrugën “Berit Beker”.

Ngjarja ndodhi teksa i riu, po i tregonte armën e zjarrit shokut të tij dhe duke menduar se nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht, ku për pasojë është plagosur 17-vjeçari.

“Rreth orës 01:40, pas njoftimit se në rrugën “Berit Beker” ishte plagosur me armë zjarri një 17-vjeçar, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Nga veprimet e para hetimore rezulton se në banesën e shtetasit R. S., 19 vjeç, ky i fundit, duke i treguar armën e zjarrit pistoletë shokut të tij dhe duke menduar se nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht dhe për pasojë është plagosur 17-vjeçari. Në përfundim të veprimeve të para hetimore:

-u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., 19 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, njofton Policia.

Në pranga ranë edhe dy shokë të tyre, të akuzuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

“U arrestuan shtetasit A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës””.

Ndërkohë 17-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Gjatë ndërhyrjes u sekuestrua edhe arma e zjarrit pistoletë që posedonte pa leje 19-vjeçari.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos