
Grupi i Polifonisë i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të TKOBAP mori pjesë në Piccolo Opera Festival 2026, ku prezantoi pasurinë e jashtëzakonshme të iso-polifonisë shqiptare, të shpallur Pasuri Botërore nga UNESCO.
Aktiviteti u zhvillua në Kishën Santo Stefano Protomartire në Giassico (Cormòns), ku tingujt autentikë të traditës shqiptare u bënë pjesë e këtij festivali prestigjioz ndërkombëtar që promovon muzikën vokale dhe traditat e popujve. Koncerti solli një repertor këngësh tradicionale shqiptare, përfshirë “Vajzë e valave”, “Tundu bejk e bardhë”, “Atje te ura mbi lumë” dhe “Janinës ç’i panë sytë”.
Ashtu sikurse edhe slogani i këtij festivali: “Ku ka pasion, aty është energjia jonë”, ashtu dhe trupa e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit prezantoi me pasion dhe energji, Shqipërinë, në Gorizia. “Ky ishte një tjetër udhëtim i trashëgimisë sonë kulturore, që dëshmon se iso-polifonia shqiptare vazhdon të bashkojë kultura dhe të emocionojë publikun kudo në botë”, rrëfejnë artistët që kanë performuar në këtë event kulturor.
Piccolo Opera Festival do të vijojë rrugëtimin e vet artistike deri më 5 korrik, ndërsa tema e këtij viti është “Libertà” (Liria) dhe programi përfshin opera, projekte të reja dhe trashëgimi kulturore të gjitha shfaqje në vende jotradicionale për koncerte. Pasi ato do të mbahen në kështjella, teatro të hapura dhe hapësira historike në Gorizia, Nova Gorica, Trieste dhe zonat përreth.
Ndërkohë institucioni njofton se menjëherë pas përfaqësimit në Itali, Teatri Kombëtar i Operas dhe baleitti rrugëton me art edhe në Londër. Më 6 korrik 2026, në skenën e Shaw Theatre në Londër, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore sjell një mbrëmje të veçantë artistike që ndërthur trashëgiminë kulturore shqiptare me vizionin dhe frymëzimin që Lord Bajroni gjeti në Shqipëri.
Përmes këngëve, valleve, kostumeve tradicionale dhe tingujve autentikë të folklorit shqiptar, publiku do të udhëtojë nëpër historinë, traditat dhe shpirtin e një kombi që prej shekujsh ka mahnitur udhëtarë, artistë dhe studiues nga e gjithë bota.
“Zëri i Trashëgimisë” është një ftesë për të zbuluar Shqipërinë përmes artit, një urë kulturore mes dy vendeve dhe një homazh për pasurinë e jashtëzakonshme të identitetit tonë kombëtar. Një mbrëmje ku trashëgimia shqiptare flet me gjuhën universale të artit, në zemër të Londrës.

(A2 Televizion)