Këto janë disa nga tingujt e parë të MIK Festival, që ndryshe nga boshti klasik që sjell gjithmonë, këtë vit ka risi edhe Korçën dhe Devollin që këtë edicion të nëntë të festivalit kthehen në skena artistike.
Inva Mula, drejtore e MIK Festival, shprehet për A2: “Vjen përsëri me surpriza, siç e kemi zakon, fillojmë me xhaz që nuk e kemi bërë asnjëherë, hapim dyert për zhanra të tjerë. Xhaz i viteve ‘30 që u krijua në Francë, me artiste shqiptare nga Suedia. Homazh për Viktor Gjika e Teodor Laço, koncert i jashtëzakonshëm me sallon të kinemasë. Një natë të mrekullueshme në Drenovë me balet, moonlight, nën dritën e hënës, e shoqërojmë me sonatën e hënës. Ditën e fundit kemi dy koncerte, njëri në Hoçisht pranë kishës, guxojmë të sjellim kor nga Greqia, si dhe për ta mbyllur në Parkun Rinia me koncert të serenatave”.
Muzikanti Erkand Morina theksoi: “Shkoi shumë bukur, më pëlqeu që publiku reagoi ndaj xhazit, ky zhanër luhet, por në rajonin tonë jo. Rikthyer nuk e them dot sepse nuk është luajtur më parë, por interesim ka sepse reagim nga ana e publikut kishte, do të thotë që u pëlqen”.
Festivalin e ndoqën edhe turistë të huaj, të cilët janë kënaqur duke dëgjuar muzikë cilësore.
“Unë vij nga Belgjika, erdha në Shqipëri për herë të parë, vendi shumë i bukur e ky koncert është qershia mbi torte”, thotë një turiste.
Me një program që ndërthur muzikën klasike, xhazin, baletin dhe serenatat, MIK Festival synone dhe këtë vit ta kthejë Korçën dhe Devollin në qendra të artit dhe kulturës. Koncertet do të vijojnë gjatë ditëve në vijim, duke sjellë në skenë artistë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, ndërsa publiku pritet të përjetojë mbrëmje të veçanta në disa prej hapësirave më simbolike të rajonit. (A2 Televizion)