
Aktori Koço Qendro është ndarë nga jeta, duke lënë pas një karrierë të gjatë dhe të pasur në teatër, estradë dhe kinematografi.
I lindur më 15 maj 1927 në Senicë të Delvinës, ai e zhvilloi pjesën më të madhe të jetës artistike në Korçë, ku u shndërrua në një nga emrat më përfaqësues të teatrit profesionist dhe estradës. Gjatë karrierës së tij interpretoi qindra role në skenë dhe në film, duke u bërë një figurë e dashur për publikun.
Një nga rolet e tij më të njohura mbetet ai i Harpagonit në komedinë “Kopraci” të Molierit, të cilin e solli në skenë në periudha të ndryshme të jetës, madje edhe në moshë të shtyrë, duke treguar përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj artit.
Në kinematografi, Qendro është i njohur për pjesëmarrjen në disa filma të rëndësishëm shqiptarë si “I teti në bronz”, “Përballimi”, “Agimet e stinës së madhe” dhe “Vendimi”, që mbeten pjesë e historisë së filmit shqiptar.
Përveç aktrimit, ai kontribuoi edhe në ruajtjen e historisë së teatrit korçar, duke dokumentuar ngjarje dhe figura të rëndësishme të skenës. Për kontributin e tij është vlerësuar me tituj dhe nderime të ndryshme, përfshirë edhe shpalljen “Ambasador i Qarkut” nga Këshilli i Qarkut Korçë. (A2 Televizion)