
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për deklarimin e Parkut Arkeologjik Apoloni si “pasuri kulturore e paluajtshme”, duke përcaktuar gjithashtu kufirin, zonifikimin dhe planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tij.
Sipas vendimit, statusi i ri i jepet Parkut Arkeologjik Apoloni në përputhje me hartën e zonifikimit dhe koordinatat në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), të cilat janë pjesë përbërëse e aktit, shkruan A2.
Po ashtu, qeveria ka miratuar planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e parkut, me qëllim forcimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe përmirësimin e menaxhimit të një prej siteve më të rëndësishme arkeologjike në vend.
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ngarkohet për publikimin e hartës së re në Gjeoportalin Kombëtar, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë regjistrimin e vendimit sipas legjislacionit në fuqi.
Postimi i Ministrit Blendi Gonxhja:
"Apolonia me një plan të ri për mbrojtjen dhe administrimin e Parkut Arkeologjik
Këshilli i Ministrave miratoi dje aktin e përditësuar për Parkun Arkeologjik të Apolonisë, duke e deklaruar “Pasuri Kulturore e Paluajtshme” në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 27/2018 dhe duke miratuar planin e ri për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tij. Ky akt, shënon një përmirësim të dukshëm në drejtim të mbrojtes së kufijve të parkut, duke pasqyruar koordinatat sipas standardeve shtetërore të përcaktuara nga ASIG.
Plani i ri përcakton më qartë kriteret, procedurat dhe përgjegjësitë institucionale për ruajtjen, konservimin, restaurimin dhe administrimin e parkut, duke harmonizuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore me zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. Gjithashtu, ai organizon parkun sipas zonave me nivele të ndryshme mbrojtjeje, bazuar në potencialin arkeologjik dhe rezultatet e kërkimeve të zhvilluara ndër vite.
Ky përditësim forcon instrumentet ligjore për mbrojtjen e një prej qendrave më të rëndësishme të qytetërimit antik në Shqipëri, duke garantuar që Apolonia të ruhet, të studiohet dhe të zhvillohet si një destinacion i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe turizmit. (A2 Televizion)