Shqiptarët në Itali janë edhe më të bashkuar. Tashmë ata kanë një “Odë”, një Qendër Kulturore të themeluar rishtas në qytetin e Breshias, me Presidente zonjën Valbona Xibri. Të rinj e të vjetër, burra, gra e fëmijë, emigrantë që formojnë diasporën më të madhe shqiptare, atë të Italisë, iu bashkuan festimeve për të bekuar “Odën”.
Pas Himnit Kombëtar Shqiptar, me kitarë në dorë para publikut, performoi artisti arbëresh Mimmo Imbrogno. Dy këngët e tij u shoqëruan nga kori i fuqishëm dhe duartrokitjet adhuruese. Gjëja më pozitive që u pa në pjesëmarrje ishte fakti që shumica ishin të rinj.
Nën tingujt e muzikës shqip, shoqëruar nga hapat e rregullt të atyre që iu bashkuan valleve, Sekretari i Qendrës Kulturore, Edmir Çekrezi përshëndeti në shqip të pranishmit. “Oda merr jetë dhe vlerë kur në të përfshihen njerëz të motivuar”, ishte mesazhi që ai përcolli.
“Ne do të respektojmë në maksimum çdo organizim shoqëror dhe çdo vlerë kulturore që vjen nga puna e tyre. Dora e bashkëpunimit do të jetë e shtrirë dhe dera e Odës do të jetë e hapur për të gjithë”, ishin mesazhet e tjera që u përcollën.
Kurorëzimin e përpjekjeve prej vitesh për të pasur në Breshia një qendër kulturore e mundësoi grupi i sipërmarrësve shqiptarë, kryesuar nga Edmir Çekrezi, Gëzim Guga dhe Admir Plaka. Dyqind e katërmbëdhjetë persona morën pjesë në ngjarjen e themelimit të “Odës”. Tetëdhjetë e tetë është numri i të anëtarësuarve të rinj. Objektivi është tashmë për ta bërë “Qendrën Kulturore” një lëvizje të fuqishme. Kjo e pohuar edhe nga sytë e pjesëmarrësve që shkëlqenin nga optimizmi.
Shqipëria është vendi i tretë në botë për diasporën më të madhe. Kryesisht në Itali, Greqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar e Belgjikë jetojnë e punojnë 1,7 milionë qytetarë.
Megjithatë, çdo e keqe e ka edhe një pozitive nga pas. Përfitimet ekonomike të Shqipëria nga diaspora shtrihen edhe në drejtime të tjera, te kapitali, dija, eksperienca, investimet e huaja, turizmi dhe mbi të gjitha te paratë që sjellin për familjet në vendlindje. (A2 Televizion)